“Drejtori të nxjerrë pagesat e bankës”, Reka dhe Demi, të tjera akuza ndaj Nallbanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2020 | 22:52

“Drejtori të nxjerrë pagesat e bankës”, Reka dhe Demi, të tjera akuza ndaj Nallbanit

Nuk ka paqe në skuadrën e Stu dentit në volejboll për meshkuj, ku përplasjet dhe polemikat ndërmjet trajnerëve të shkarkuar, Agim Reka dhe Altin Demi, ndaj drejtorit të klubit Blendi Nallbani s’kanë fund. Një ditë më parë Nallbani reagoi zyrtarisht duke iu përgjigjur trajnerëve, të cilët e kishin akuzuar për vjedhje, se do t’i dërgonte në gjykatë për prishje imazhi. 

nallbani

Ndërsa publikoi gjithashtu edhe disa fatura të cilat, sipas tij, vërtetojnë pagesat e bëra ndaj pallatit të sportit (ishte akuzuar nga trajnerët se klubi nuk kishte paguar sallën). Por, e menjëhershme ka qenë edhe përgjigjja e dy trajnerëve kryeqytetas, të cilët kanë kontaktuar gazetën, duke denoncuar sërish drejtorin e klubit, këtë herë për faturat e paraqitura prej tij.

“Drejtori Blendi Nallbani duhet të heqë dorë sa më parë nga klubi, pasi po bëhet qesharak me veprimet që po bën. Kërkon të na hedhë hi syve dhe të mbulojë vjedhjet, duke paraqitur disa fatura që vërtetojnë detyrimin që ka ndaj pallatit të sportit, të cilat na i paraqet si pagesa.

Këto janë lehtësisht të verifikueshme edhe nga sistemi ‘online’, ku rezulton që ai nuk i ka paguar në bankë. Për të vërtetuar pagesat ai duhet të paraqesë mandatet e bankës dhe jo detyrimet që ka ndaj sallës”, deklaruan për gazetën trajnerët Reka dhe Demi. Më pas teknikët rikthehen te vendimi që klubi mori për shkarkimin e tyre: “Ende s’na kanë komunikuar asgjë zyrtarisht. Klubi na përmend rezultatet dhe kërkon që të jemi konkurrues me Erzenin apo Partizanin, por çfarë mbështetjeje na kanë dhënë që ne të jemi në nivelin e tyre? Sa lojtarë kemi afruar në merkato?”

Reka-Demi

Një tjetër akuzë ndaj klubit ka të bëjë me transparencën me sponsorët: “Ku kanë shkuar paratë e sponsorëve që gjatë këtyre viteve kemi mbajtur nëpër fanella? Lojtarët dhe trajnerët s’kanë përfituar asnjë qindarkë. Gjithashtu, nuk janë përdorur për afrime në merkato ashtu sikurse bëjnë ekipet e tjera, pasi ato para janë vjedhur”. Në fund, Reka dhe Demi kanë edhe një apel për drejtorin Nallbani:

“Për njohjet familjare kërkojmë që të heqë dorë nga klubi dhe të largohet. Gjithashtu, të heqë dorë nga presionet ku përmend gjykatat, pasi do të përfundojë në prokurori dhe te krimi ekonomik. Ndërsa me këtë rast duam të falënderojmë Bashkinë e Tiranës, pasi, që kur na ka marrë nën administrim, ka qenë shumë korrekte me pagat. Por, ne do të kërkojmë takim me kryetarin Erion Veliaj, që ta njohim me gjithë këto shkelje që po bëhen në klubin Studenti”, përfundojnë deklaratën trajnerët kryeqytetas.

ARTIN LLESHAJ  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"