Drejtori i akademisë blu, Pinari: Derbi të shërbejë si mësim, Dinamo ende në lojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2024 | 20:26

Drejtori i akademisë blu, Pinari: Derbi të shërbejë si mësim, Dinamo ende në lojë

Ai tranzicion i gjatë duket se ka lënë pa soja te Dinamo, që pavarësisht investimeve serioze, nuk po arrin të ngjitet aty ku duhet edhe në këtë kampionat, të paktën deri tani. Humbja në derbin me Tiranën ishte një goditje e fortë, megjithatë ish-kapiteni i kësaj skuadre, Luan Pinari, gjykon se blutë janë ende në lojë për 4-shen e parë në fund të kampionatit.

LUAN PINARI

Ai thekson se humbja ndaj Tiranës duhet marrë si një mësim i mirë për pjesën e mbetur të sezonit, ndërsa shpreh besimin se kjo Dinamo ka kualitetin për ta përmbysur situatën në favorin e saj, nëse rigjen besimin në vetvete dhe vlerëson drejt ndeshjet e ardhshme, duke nisur që nga kjo e së shtunës me Skënderbeun. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Pinari, drejtor i akademisë së Dinamos, tregon pse ndodhin situata të tilla për kryeqytetasit.

Luan, si po shkon puna me akademinë e Dinamos, që e drejtoni tashmë?

Puna ka ecur mirë, mund të them se jemi të kënaqur për këtë kohë të shkurtër pas riorganizimit të akademisë së Dinamos. Dua të falënderoj stafet e trajnerëve dhe klubin për punën që është bërë deri tani. Janë afruar shumë lojtarë gjatë kësaj kohe dhe mendoj se është shtruar rruga për të pasur ekipet e moshave që ka nevojë klubi. Besoj se duke punuar do të shkojmë gradualisht aty ku duam, që Dinamo nesër të ketë talentet e saj.

Skuadra e parë e nisi vitin me atë humbje dramatike në derbin me Tiranën, nga 2-0 në 2-3. Cili është komenti juaj?

Ndeshje si ajo me Tiranën, me përmbysje rezultati, kanë ndodhur vazhdimisht edhe më parë. Edhe kur luaja unë, apo më parë dhe më pas ka ndodhur kështu. Është një histori interesante kjo e derbeve të kryeqytetit: Partizani mundte Tiranën, Tirana mundte Dinamon dhe Dinamo mundte Partizanin. Para derbit të gjithë ishim dakord se ndeshja i kishte në lojë të tria rezultatet. Ajo që të mbetet në mendje ka të bëjë me mënyrën si shkoi dhe u humb ndeshja, Dinamo shkoi deri në 2-0 dhe duhej të kishte dalë me pikë.

Dhe nuk është hera e parë që i ndodh këtë sezon, sepse edhe Teuta e ka përmbysur po kështu…

Po, është e vërtetë. Këtu dua të sjell në vëmendje faktin se kur ne themi shpesh që Dinamo ka nevojë për pak kohë, sepse është skuadër e re, këtë kemi parasysh. Që të konsolidohet si skuadër dhe të mos i ndodhin të tilla situata. Një skuadër e konsoliduar do ta menaxhonte më mirë se Dinamo atë ndeshje, ku u godit me dy gola për 3-4 minuta. Janë situata që në futboll ndodhin, por unë do të thosha se ajo humbje duhet marrë si një mësim në këtë moment. Duhet lënë pas, por duhet të shërbejë si një leksion për të ardhmen, që gabime të tilla të shmangen.

Tani vjen sfida me Skënderbeun në Korçë. Si e parashikoni?

Ndeshje e vështirë, edhe kundërshtari vjen nga një moment jo i mirë. Por besoj se Dinamo ka kualitet për ta kaluar këtë ndeshje. Thjesht duhet të jetë e përqendruar dhe të mendojë vetëm për Skënderbeun, për ndeshjen e radhës. Nuk e them si shprehje të rëndomtë në futboll, por realisht duhen marrë ndeshjet një e nga një, me vlerësimin e duhur. Fitorja sjell fitoren dhe nëse e bën kthesën këtë javë në Korçë, pastaj do ta ketë më të lehtë.

Me humbjen e fundit është krijuar edhe një shkëputje me 4-shen e parë. A ka Dinamo ende shanse për këtë objektiv?

Ka padyshim. Sepse kjo shkëputje u krijua për dy-tre javë dhe po për dy tre javë mund të rikuperohet. Edhe skuadrat e tjera do të gabojnë, e rëndësishme është që Dinamo të bëjë kthesën nga ana e saj dhe të ketë më shumë stabilitet në vazhdim të kampionatit. Rezultatet pozitive e konsolidojnë skuadrën dhe e bëjnë më të prekshëm objektivin e sezonit. Kampionati ka edhe shumë rrugë përpara. Janë edhe dy ndeshje direkt me Vllazninë, që do të thotë mundësi rikuperimi, por në ato ndeshje duhet të shkosh me gjendjen e duhur dhe moralin e duhur.

A e ka skuadra aktualisht grupin e nevojshëm të futbollistëve për të rivalizuar për 4-shen?

Me këtë grup lojtarësh që ka, Dinamo e ka kualitetin për të qenë në 4-she. Në merkato janë bërë disa lëvizje interesante, mund të ketë edhe ndonjë surprizë. Vllaznia nuk ka bërë ndonjë merkato kushedi, nuk ka asgjë më shumë. E pamë edhe në derbi, ku Dinamo shkoi 2-0, pavarësisht se më pas ndodhi ajo që ndodhi. Edhe në ndeshje të tjera Dinamo ka bërë mirë, por ka lënë pikë që me pak kujdes më shumë mund t’i kishte marrë. Unë besoj shumë te ky grup lojtarësh dhe me konsolidimin edhe më tej të skuadrës, edhe rezultatet do të jenë më të mira.

FATJON RUPI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"