Dossier/ 50 vjet nga “Turpi i Tiranës”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2017 | 21:30

Dossier/ 50 vjet nga “Turpi i Tiranës”

ARMAND PLAKA

Vite më parë, ndërsa më duhej të shoqëroja grupe politikanësh gjermanë në kuadër të programeve të Fondacionit “Konrad Adenauer”, në një moment relaksi në bisedë me deputetë gjermanë, për t’iu shmangur bisedave politike, ata më kërkuan diçka të veçantë që lidhej me futbollin në Shqipëri, e si fillim iu rrëfeva se në vitin 1967, për shembull, në lidhje me Gjermaninë sidomos, ne u kemi shkaktuar atyre një turp të vërtetë.

download

Zgurdulluan sytë e m’u desh t’i përcillja menjëherë nga “Google” një intervistë të bujshme që qarkullonte në shumë media e portale serioze gjermane, në mënyrë që të futeshin paksa në temë. S’kishte shumë kohë që vetë kisha lexuar pohimet e Günther Netzer, një nga analistët më në zë të futbollit në Gjermani e legjendë e vërtetë e viteve ’60-’70 përkrah “Beckenbauer & Co.”, i cili shpjegonte në detaje atë që ai e cilësonte si “katastrofa e Tiranës” dhe sidomos momentet e kthimit në Gjermani, ku Nationalmannschaft-i nuk u prit nga askush.

“Ky udhëtim na dukej si të ishte udhëtim në Hënë”, pati thënë dikur ish-lojtari i Kombëtares Gjermane, Willi Schulz, në një intervistë. “Nëse sheh të paktat pamje filmike të asaj ndeshjeje të Nationalmannschaft-it më 17 dhjetor 1967 kundër Shqipërisë në Tiranë, të kujtohen menjëherë pamjet e zbarkimit në Hënë”.

“Vajtimet” e medias gjermane

Ndërkaq, duket se mediat gjermane nuk lenë rast pa shfrytëzuar për ta rikujtuar atë dështim të pashoq për ta, sikurse ka bërë së fundmi edhe Kanali Dytë Publik Gjerman, ZDF, në një editorial të veçantë kushtuar kësaj ngjarje në 50-vjetorin e saj në edicionin e saj sportiv. Cilat ishin arsyet që çuan në këtë dështim, pasojat që solli dhe sidomos mësimet që u nxorën prej saj, janë disa nga pikat ku vërtitet shumëçka rreth asaj ngjarje pikante në historinë e futbollit të të dy vendeve në fakt. S’e di se sa e vërtetë mund të ketë qenë, por përpos arsyeve teknike sportive, ajo që në historiografinë e futbollit gjerman cilësohet sot e kësaj dite si “katastrofa e Tiranës”, sipas disa prej protagonistëve të saj, ka pasur edhe një arsye tjetër.

Zbulohen arsyet “josportive” të dështimit

Dështimet “e pashpjegueshme” të sulmit gjerman përballë mbrojtjes shqiptare në atë barazim pa gola të 17 dhjetorit 1967, ish-legjenda Günter Netzer i shpjegon me faktin se nuk kishin pasur mjaftueshëm as për të ngrënë, ndërsa ish-kolegu i tij, Willi Schulz, më vonë do ta precizonte në këtë mënyrë pretendimin e tij: “Nuk kishte mish. Kishte vetëm bukë dhe vezë.

Vezët vinin nga një kombinat vezësh”. Nuk dua të dyshoj aspak në thëniet e ish-lojtarëve gjermanë, por një hije dyshimi e ekzagjerimi në këtë aspekt duket se ka, pasi mendja ta do që një ngjarje e tillë, për vetë ish-regjimin, ishte një rast i mirë për të pastruar sado pak imazhin e vet në sy të opinionit ndërkombëtar, nuk do të lihej pas dore në trajtim duke i mohuar dhe racionin e mishit në këtë rast jo një ish të burgosuri, as ndonjë shqiptari të thjeshtë, as edhe ndonjë të huaji dosido, por pikërisht Kombëtares Gjermane të Futbollit.

Ndërkohë, më ngjan se pohimet e mësipërme janë vërtet të rralla, në mos të vetmet e të pambuluara me dëshmi nga protagonistët e tjerë nga skuadra gjermane e asaj kohe. Prestigjiozja “der Spiegel” ka cituar me këtë rast edhe protagonistë të tjerë të asaj ngjarje e në asnjë syresh nuk has në një pohim të tillë.

Megjithatë, që të mos i hamë hakun askujt e “t’i japim Çezarit atë që është e Çezarit”, për të mos kaluar në banalitet e naivitet, duket se pretendimi në fjalë, përkundrazi, nëse do ishte i vërtetë, do ishte sigurisht edhe më i turpshëm sesa “turpi” që është dashur të mbajë ndër vite, – siç e pohojnë dhe vetë protagonistët – Kombëtarja Gjermane e Futbollit, i cili gjithsesi mbetet vetëm një “turp” në kuadrin e thjeshtë sportiv.

1967-rfgj-shqiperi-0-0-640x360

E në këtë rast, ai sigurisht se vetëm do të shtonte listën e “bëmave” të pafundme të ish-regjimit komunist dhe s’do të njolloste aspak vlerat shqiptare të mikpritjes, çka mund ta kthejë këtë çështje tashmë në një diskutim që i tejkalon kufijtë e sportit.

3 ndër dështimet më të mëdha të futbollit gjerman

Sidoqoftë, për t’u rikthyer sërish në temë: Nuk shkoi më shumë se 0:0 përplasja e formacionit të drejtuar nga Helmut Schön në atë kohë përballë Shqipërisë komuniste – një rezultat që ka hyrë në “Memorien e futbollit gjerman”, siç do të thoshte dikur ish-mbrojtësi i Kombëtares Gjermane, Bernd Patzke. “Turpi i Tiranës” renditet përkrah humbjes 0:1 kundër ish-RDGJ-së në Botërorin e 1974 dhe “Turpit të Cordoba”- s, me atë humbje 2:3 kundër Austrisë në Botërorin e 1978, deri më sot, si njëri ndër tre dështimet më spektakolare të Kombëtares Gjermane në gjithë historinë e vet. “Është hera e parë dhe e vetme që Gjermania regjistron një dështim në fushatat e saj kualifikuese për një turne madhor, siç është edhe Kampionati Europian i Futbollit”, thotë Bernd-M. Beyer, biografi i ish-trajnerit të Kombëtares Gjermane, Helmut Schön, në një bisedë për “zdfsport.de”: “Që kjo të ndodhte edhe ndaj një kundërshtari si Shqipëria, për një komb të madh në futboll si Gjermania, është diçka e turpshme”.

Refuzimi i VIP-ave

Humbja në kualifikueset për Europianin e Italisë të vitit 1968 ndodhi në mes të një atmosfere suksesesh të bujshme të Gjermanisë në futboll, ku renditet titulli i nënkampionit në 1966-ën në Angli dhe fitimi i Kupës së Kampionëve të Europës nga Borussia Dortmund (1966) dhe sukseset e Bayern München (1967). Ndeshjen ndaj Shqipërisë në Gjermani, “Nationalmannschaft”-i e kishte fituar qartazi me një rezultat tenistik 6:0, e në kthim do mjaftonte edhe një fitore formale për të skualifikuar ish-Jugosllavinë rivale. “Por Kampionati Europian në atë kohë nuk kishte këtë rëndësinë që ka sot”, mendon Beyer, biografia e të cilit rreth “Helmut Schön”- it u shpall edhe si libri më i mirë për futbollin i vitit 2017.

Kishte edhe një arsye domethënëse për atë dështim. “Lojtarë kryesorë si Franz Beckenbauer, Uwe Seeler dhe Gerd Müller refuzuan të luanin, sigurisht, me një arsyetim të justifikueshëm, por unë hezitoj të pranoj se do të kishte qenë po kështu nëse ata do të duhej të luanin për kualifikimin në Botëror”. Kështu që ndodhi që mesfushori Peter Meyer i Borussia Mönchengladbach, për shembull, të luante në atë takim ndeshjen e tij të parë e të vetme me Kombëtaren në gjithë jetën e tij. Veç kësaj, biografi i Schön-it thotë se bashkëjetesa në një rol mes Günter Netzer dhe Wolfgang Overath për herë të parë tregoi çarjet e saj.

“Sipas kuptimshmërisë së roleve të asaj kohe që të luanin dy regjisorë pranë njëri-tjetrit, doli të ishte diçka që nuk funksionoi”. Kurrë më pa “legjionarët” Për Günter Netzer ishte qysh në atë kohë tashmë e qartë se kujtimi i asaj dite do t’i ndiqte lojtarët gjermanë gjatë gjithë jetës. “Ishte një katastrofë e rrallë”, do të thoshte ai vite më pas. “Ne në atë kohë ishim një komb i madh në futboll, e Shqipëria ishte veçse një ‘xhuxh’ në këtë aspekt. Në atë kohë, në futboll kishte vërtet gjigantë dhe xhuxhmaxhuxhë”. Pikërisht, ky mentalitet u thye më 17 dhjetor 1967 në Tiranë përballë një turme të papërmbajtshme spektatorësh euforikë në një stadium të mbushur plot e përplot.

“Ndeshja solli me vete një kthesë radikale sepse tashmë u bë e qartë se kundër askujt nuk mund të fitohet duke luajtur “me këmbën e majtë”, por se përballë çdo kundërshtari duhet një përgatitje profesionale dhe vënia në dispozicion e lojtarëve më të mirë”, thotë autori Beyer duke shtuar se “nuk duhet të tërhiqemi nga aktivizimi i profesionistëve që luajnë në liga ta huaja, të cilët, për shumëkënd vlerësohen si ‘tradhtarë'”.

Çfarë mësuan shqiptarët nga kjo përballje?

Edhe shqiptarët nga ana tjetër, përtej euforisë së rezultatit sportiv, duket se mësuan shumëçka nga kjo përballje. Së pari, nisi të thyhej një mentalitet që fatkeqësisht do të zinte rrënjë sërish për vite e dekada të tëra e, madje, mezi po shlyhet edhe sot e kësaj dite: kompleksi i inferioritetit përballë të huajve, e sidomos kundër skuadrave perëndimore, të cilat shiheshin si UFO të zbritura nga ndonjë planet tjetër. Së dyti, në aspektin teknik sportiv do të përfitohej shumë, pasi përballja me ekipe të një kalibri të tillë, diktonte skema e strategji më të rafinuara në përshtatje me kohën.

Përballja ndaj RFGJ-së në Tiranë, pas humbjes turpëruese që ata na kishin rezervuar në Gjermani, e që për më tepër vinte me një status gjiganti në skenën botërore të futbollit, vuri në vend nderin e skuadrës shqiptare dhe konfirmoi gjithashtu talentin e trajnerit të saj legjendar, Loro Boriçi dhe yjeve të saj të kohës: Pano, Zhega, Bizi, Rragami, Vaso etj., të cilët shkuan përtej mundësive të veta, duke sakrifikuar shumë e dhuruar një performancë të paharrueshme.

Përballë pretendimeve se Shqipëria ishte bërë vegël e ishJugosllavisë duke dëmtuar kështu Gjermaninë në objektivat kualifikues, u ravijëzuan edhe pretendimet që kishin të bënin me performancën e një gjyqtari që i la për të dëshiruar austriakut Ferdinand Marschall, i cili anuloi edhe një gol të shënuar në minutën e 53-të nga shqiptarët, çka solli hije dyshimi rreth përzgjedhjeve që bënte UEFA duke aluduar për afërsinë nacionale mes Austrisë dhe Gjermanisë.

Paranoja e ish-regjimit të Hoxhës do të bënte që Shqipëria të vuante herë pas here penalitete e mospjesëmarrje në fushata kualifikuese apo aktivitete sportive ndërkombëtare, ose të kishte një prezencë fare të pakët në numër përballjesh me botën, çka, jo vetëm në sport, solli me vete pasojat e një izolimi që tashmë të gjithë i dimë.

Përballjet e mëpasme me Gjermaninë, ku në disa raste nuk kanë munguar as “surprizat” në minutën e fundit, ndërsa kemi korrur ballëlart humbje të tipit 3:4 apo 2:3, kanë bërë që tashmë ai barazim i vitit të largët 1967, i arritur me aq shumë sakrifica në Tiranë, të shihet vetëm si prelud i një tradite shumë dinjitoze e shembull krenarie në përballjet shqiptare me botën e jashtme. Nisur nga kjo, ai moment duhet të vijojë të kujtohet me nostalgji e me respekt si një relikë e çmuar e traditës sonë, jo thjesht dhe vetëm sportive.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"