“Do të ketë masa”, drejtori Guranjaku saktëson kushtin e Elbasanit për kthesën: Gabimet harrohen me 12 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2023 | 12:30

“Do të ketë masa”, drejtori Guranjaku saktëson kushtin e Elbasanit për kthesën: Gabimet harrohen me 12 pikë

Humbja ndaj Fla murtarit tregoi se Elbasani nuk është ende aty ku duhet, sidomos në raport me lojën. Nuk po bindin dhe lënë pikë, çka i ka çuar në vendin e tretë të renditjes. Kjo situatë nuk është pritur aspak mirë nga drejtuesit, që në mbledhjen e fundit kanë vendosur edhe një ultimatum. Për të na zbuluar rreth asaj që ndodhi dy ditë më parë dhe kërkesat e presidentit Kujtim Llupa, për “Panorama Sport” flet Elton Guranjaku.

guranjaku

Drejtori sportiv saktëson se kusht nuk janë tri ndeshjet e radhës, por katër. Që do të thotë, skuadra është e detyruar që të marrë 12 pikë kundër Tomorit, Luzit, Bylisit dhe Kastriotit.

“Besoj se nuk ka shumë gjëra për të thënë për analizën që bëmë, por ishte në kuadër të performancës që ekipi bëri në ndeshjen me Flamurtarin. E pranuam të gjithë që nuk kishte lidhje me atë që pritet nga Elbasani dhe besojmë se do të lihet pas. Ekipit i është vënë objektiv për katër ndeshjet e ardhshme, në të cilat duhet të marrë pikët e plota”, u shpreh fillimisht Guranjaku.

PENALITETET PËR 4 NDESHJE

Në rast se nuk merren 12 pikë, do të rishihet nëse do të hyjnë në lojë më pas edhe penalitetet. Sipas Guranjakut, e rëndësishme është që skuadra e ka kuptuar që ka gabuar dhe ka nxjerrë mësime.

“Nuk di të them se çfarë mase do të ketë nëse nuk realizohet ky synim që ka vënë klubi, pasi mendoj se skuadra do t’ia dalë të marrë 12 pikë. Tani jemi të fokusuar për ta arritur këtë gjë dhe nuk do të zhgënjejmë. Vetë skuadra është e vetëdijshme që deri tani ka gabuar dhe duhet të bëjë kthesën”, theksoi drejtori.

PRITSHMËRITË DHE VAZHDIMËSIA

Edhe pse pranon se pritshmëritë e ekipit kanë qenë të mëdha në fillim, Guranjaku thekson se grupi do kohën e vet të konsolidohet, pa harruar se gjashtë takime i kanë luajtur jashtë shtëpisë. Me një kalendar në favor, do të vijnë edhe pikët.

“Normalisht kemi pasur dhe kemi pritshmëri të larta, por e dinim që nuk do të ishte e lehtë, sidomos starti, sepse është një ekip i ri me lojtarë që janë afruar në merkato dhe do kohën e vet. Të mos harrojmë se vetëm dy ndeshje kemi luajtur në shtëpinë tonë dhe gjashtë të tjera jashtë, ndaj edhe ky është një faktor për rezultate jo të mira.

Të jem i sinqertë besoj se Elbasani i vërtetë dhe që të gjithë shpresojmë do të shihet tani e tutje”, përfundoi drejtori i klubit verdheblu, i cili përpiqet të japë nota optimizmi edhe pas situatës jo të mirë që po kalon skuadra. Fakti që ekipi është ende pranë kreut, ka bërë që në klub të mos marrin vendime të nxituara.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"