Dinamo ndryshe në Korçë, 3 ndeshje për përmbysjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2024 | 15:48

Dinamo ndryshe në Korçë, 3 ndeshje për përmbysjen

Një humbje si ajo e derbit me Tiranën nuk është e lehtë, psikologjikisht, për t’u kaluar. Te Dinamo ka pasur një analizë për atë ç’ndodhi në ‘Niko Dovana’ në ndeshjen e parë të 2024-ës dhe tani gjithsecili pritet të marrë përgjegjësitë, nga stafi te lojtarët. Përpara është ndeshja me Skënderbeun në Korçë, më pas vijnë Kukësi dhe Erzeni, që do të thotë se, nëse vërtet Dinamo pretendon 4-shen e parë, duhet të marrë maksimumin në këto 270 minuta. Në një farë mënyre, është edhe një detyrim për të ‘larë’ disfatën në derbi.

dinamo

NDRYSHIMET – Dinamoja në Korçë pritet të jetë ndryshe nga ajo e derbit me Tiranën në përbërje dhe në rreshtim. Bluve nuk u falet një tjetër hap fals në këtë transfertë. Mesfusha ndryshon detyrimisht, sepse Andoni, një nga lojtarët me më shumë përvojë, është i skualifikuar.

Dinamo luajti me atë dhe Lorranin ndaj Tiranës, kurse ndaj Skënderbeut mund të kemi një mesfushë me tre lojtarë, ku Gudiabi dhe Smaçi kanë shanset për ta nisur nga minuta e parë, bashkë me brazilianin Lorran. Por ndryshimet mund të prekin edhe mbrojtjen dhe sulmin. Krahët duhet të jenë po ato, me Markun dhe Allmuçën, ndryshimi mund të vijë në qendër.

Kapiteni Rustem Hoxha mund të kthehet në formacion, pasi skuadra ka nevojë për eksperiencën e tij. Për vendin tjetër mund të ketë një balotazh mes Jankut, që debutoi në derbi dhe u paraqit mirë, dhe Behiratçes, që në ndeshjet e fundit ka gabuar jo pak.

Ajo penallti e shkaktuar ndaj Tiranës ka lënë shije të hidhur në klubin blu. Sa i takon sulmit, në Korçë mund të mos kemi 4 lojtarë, por tre. Trajneri Mehmeti duhet të zgjedhë mes Zabërgjës, Vilës, Denisonit dhe Kaçorrit, me tre të parët të avantazhuar.

KALENDARI – Dinamo mund të rikuperojë sadopak në raport me 4-shen e parë këto tri javë që vijnë. Pas Skënderbeut do të ndeshet me Kukësin në Durrës dhe pastaj me Erzenin në transfertë.

Janë ‘ndeshjet e veta’, që kjo skuadër duhet t’i fitojë për ta përmbysur situatën në favorin e saj dhe për të mbetur në pretendimet për 4-shen e parë, në të kundërt duhet të mendojë thjesht për mbijetesën.

Janë 270 minuta, që duhen kaluar me sukses dhe ku blutë duhet të bëjnë diferencën. Me 9 pikë të mundshme në këto tri sfida, situata do të ndryshonte fatet e sezonit.

Pas Korçës është edhe Kupa e Shqipërisë, ku Dinamo, që ndeshet me Laçin në transfertë, ka gjithashtu pretendime serioze. Në letër blutë kanë shanse të mëdha, por gjithçka do ta tregojë fusha.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"