“Dikur kundërshtarët vinin të frikësuar e të fikur në Vlorë”, Haxhiu tregon rrugën: Flamurtari ta nisë kthesën nga… moshat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2024 | 12:01

“Dikur kundërshtarët vinin të frikësuar e të fikur në Vlorë”, Haxhiu tregon rrugën: Flamurtari ta nisë kthesën nga… moshat

Gerd Haxhiu skanon Flamurtarin. Ish-trajneri vlonjat shpreh keqardhjen që skuadra u shndërrua për disa kohë në ekipin që mundej edhe në Vlorë. Sipas Haxhiut, me Memushin kuqezinjtë kanë ndryshuar dukshëm. Për “Panorama Sport”, Haxhiu kthehet pas në kohë, kur vinte në Vlorë si kundërshtar.

gerd-haxhiu-696x420-1

Ai tregon se lojtarët vinin të fikur, pasi Flamurtari ishte fortesë. Ish-trajneri mendon se vlonjatët i kishin shanset që sot ishin në vend të dytë. Tani e shikon të pamundur ngjitjen direkte, ndërsa thotë se kjo mund të vijë vetëm përmes ”play off”-it, por apelon të mos përsëriten gabimet e së shkuarës.

Haxhiu, cili do të ishte ‘skaneri’ juaj për këtë Flamurtar?

Në gjuhën tonë thuhet se 70% e suksesit apo e klubit, është e bërë me dy procese pa filluar puna. Procesi i ndërtimit dhe profilizimit. Ka një problem shumë të madh, që Flamurtari në mendësinë e vetë mundohet të bëjë skuadër elite, por realisht nuk jemi në Superiore. Kjo do të thotë se në 40-50% të fushave janë terrene jo të përshtatshme për të interpretuar një futboll të nivelit të mirë. Ndërtimi i skuadrës është bërë për të qenë në elite, këtu Flamurtari ka pasur një ngërç gjatë gjithë ecurisë së vet. Nuk është ndërtuar keq që në fillim të sezonit. Me gabime të vogla por…  Handikapi qëndron te problemi i mendësisë për një skuadër elitare, por kategoria do që të përshtatesh me elementë të caktuar. Në merkaton e janarit janë bërë 4 lëvizje shumë të rëndësishme, La Torre, Shkurtaj, Frashëri dhe Batha.

Mendoni se kanë ndryshuar që pas ardhjes së trajnerit Eqerem Memushi?

Unë jam interesuar për të ndjekur ecurinë e Flamurtarit edhe me dy trajnerët e tjera, Çelën dhe Resulin. Kam parë rezultatet, i kam ndjekur ndeshjet sa kam mundur. Kanë prodhuar lojëra, jo të nivelit të ndeshjeve të fundit, por kanë prodhuar. Kanë qenë të rrezikshëm, janë ndëshkuar edhe me episode të ndryshme. Mbaj mend një karton të kuq në ndeshjen me Vorën, ku u kthye situata. Ishin në avantazh, por pastaj ndeshja përfundoi në humbje. Nuk janë këto skuadrat për të treguar forcën e Flamurtarit. Kishte Elbasanin përballë dhe e kaloi edhe me inferioritet numerik, përmbysi rezultatin dhe shkoi drejt fitores.

Çfarë të bën të besosh se ky Flamurtar ia del?

Besimi më vjen nga organika që ka Flamurtari, puna që po bëhet dhe me seriozitetin, klimën dhe pagesat e shëndosha. Por, edhe reagimi qytetar, siç ishte mbledhja e figurave sportive dhe personazheve politike të qytetit. Kjo solli një reagim në qytet kjo shfaqet edhe në tribuna. Ne e kemi pasur stadiumin e Vlorës fortesë. Unë kam ardhur dhe luajtur me Flamurtarin edhe si kundërshtar. Që në udhëtim kur niseshin skuadrat e mia, i shikoja të zverdhur, të fikur lojtarët. Ku po shkojmë në Vlorë? E kemi të pamundur që të marrim rezultat. Ndodhi në disa vite që Flamurtari u bë i arritshëm për t’u mundur brenda në Vlorë. Me këtë reagim të tifozerisë, me imponim që po bëhet nga ana teknike në fushë, unë besoj dhe gjykoj se Flamurtari do të rikthehet si fortes siç ka qenë. Të paktën, minimalisht ndeshjet brenda në Vlorë t’i ketë të padiskutuara. Ndërsa në ndeshjet jashtë të kapë çfarë të mundet, gjë që është e kushtëzuar edhe nga fusha.

Flamurtarin e shikoni në “play off” apo ka shanse për 2 vendet e para?

Duke parë klasifikimin dhe rezultatet që kanë kaluar, Flamurtari i ka marrë 4 pikë vendit të dytë, e ka mundur në Vlorë dhe ka barazuar në Elbasan. Është një tregues që duhet të ishte Flamurtari aty. Jo rastësisht me Bylisin e vendit të parë Flamurtari ka gabuar, ku është mundur në të dyja ndeshjet. Me Vorën ka një ndarje. Teorikisht i binte që të ishte Flamurtari në vendin e dytë, por ka gabuar me skuadra të dorës së dytë. Në një kampionat me tre faza, lufta bëhet në dy fazat e para, por edhe në të tretën duhen marrë sa më shumë. Sinqerisht, në dy fazat e para Flamurtari nuk ka marrë shumë. Ekipi duhet të synojë fort vendin e tretë. Në ndeshjet e “play off”-it të luajë në fushën e vet dhe me një barazim të kalojë në gjysmëfinale. Me dy skuadrat e kreut e shoh të pamundur misionin për tu ngjitur në Superiore. Flamurtari çdo vit gabon dhe përsërit gabimet. Sa do vazhdojmë kështu? Mund të shkojmë në “play off” sikur vjet, por bëjmë të njëjtat gabime.

Si mund të vijë ndryshimi?

Duhet një reflektim i shëndoshë, që në ndërtimin e skuadrës. Do njerëz të shëndetshëm dhe të përgatitur. Mua nuk më vjen mirë që Flamurtari nuk është në asnjë skuadër elitare të akademisë. Ne shpenzojmë para te lojtarët që kontributin e tyre e kanë deri në maj. Pastaj merr 15, në janar të ikin 7 të tjerë, e kështu me radhë. Nëse ty të rezultojnë 4 lojtarë të suksesshëm në janar, atëherë t’i ke gabuar me ndërtimin e skuadrës. Fokus më shumë nga akademia. Kemi një lojtar si Lleshi që po bën mirë, por veç tij nuk shikoj të tjerë. Flamurtari prej vitesh nuk është në 4 skuadrat më të mira, as për Kupë e kampionat. Nuk është se ka largim apo shterim elementësh, por ka mungesë organizimi. Duhet të jenë në një dorë. Në Vlorë kemi “17 milionë” ekipe private, ndërsa Skënderbeu vetëm një dhe skuadra e parë po bën mirë në Superiore.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"