Devolli pret disa rikthime, por Kukësi e ka kalendarin kundër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2024 | 13:30

Devolli pret disa rikthime, por Kukësi e ka kalendarin kundër

Kukësi do të tentojë ta shfrytëzojë në favorin e vet këtë periudhën e pushimit një javor për shkak të ndeshjeve të Kombëtares.

BLEDAR DEVOLLI

Edhe pse erdhi në një moment kur blutë nisën një seri fitoresh, duke u ndalur hovin, gjithsesi do të mundohen ta shohin me pozitivitet këtë pushim. Thuhet kështu, sepse verilindorët janë një ndër skuadrat që kanë vuajtur shumë nga dëmtimet përgjatë këtij sezoni, duke u privuar jo pak nga mungesa e lojtarëve. Së fundmi, janë plot shtatë futbollistë që po qëndrojnë në “bokse” dhe presin që të rikuperohen për t’u vënë nën urdhrat e Bledar Devollit. Me rikuperimin e tyre, shtohen alternativat në dispozicion për sfidën me kryesuesit e Egnatias.

TË DËMTUARIT – Në ndeshjen e fundit që fituan me rezultatin 2-0 ndaj Vllaznisë, Kukësi luajti me plot shtatë mungesa dhe të gjithë për arsye dëmtimesh. Bëhet fjalë për Endri Reçin, Endri Muratin dhe Geri Selitën në mbrojtje, Kleandro Lleshin dhe Mateo da Motën në mesfushë, si edhe Karlos Rivas dhe Atdhe Rashiti në sulm. Bëhet fjalë për futbollistë me peshë që kanë pasur mjaft minuta në dispozicion përgjatë këtij sezoni, duke privuar teknikun që të hedhë në fushë edhe lojtarët më të mirë. Tani, me këtë ndalesë të shkurtër shpresat janë që të ketë ndonjë rikuperim dhe lista e të dëmtuarve të mos jetë më kaq e gjatë, sepse kampionati sa vjen e bëhet edhe më i fortë dhe Kukësi më shumë se kurrë ka nevojën e të gjithëve për të mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë.

EGNATIA – Kalendarin nuk e kanë shumë në favor pas pushimeve, pasi do të jenë mysafirë në Rrogozhinë, aty ku i presin kryesuesit e kampionatit. Në të tria ndeshjet e këtij edicioni blutë kanë dalë të mundur, por gjithsesi shpresojnë të përfitojnë nga forma e dobët që po kalojnë rrogozhinasit për momentin. Ndeshjet e fundit të bluve kanë bërë që në klub të besojnë deri në fund, edhe pse janë të ndërgjegjshëm që përpara kanë ende një punë të gjatë, pasi duhet të rikuperojnë gjithë gabimet që kanë bërë përgjatë një sezoni të tërë. Egnatia pritet të jetë testi i së vërtetës, sepse nëse kalojnë edhe këtë kundërshtar, atëherë rriten shanset vërtet që Kukësi të mos bjerë nga kategoria.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"