Dëshiron largimin nga Dinamo, Patrik Bardhi drejt rikthimit te skuadra e…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2022 | 14:27

Dëshiron largimin nga Dinamo, Patrik Bardhi drejt rikthimit te skuadra e…

Kastrioti aktualisht njeh vetëm largime, ndërsa i vetmi lojtar që ka rinovuar deri më tani është mbrojtësi i majtë, Armando Rami.

PATRIK BARDHI 1

Duke filluar nga dita e sotme krutanët pritet që të fillojnë me rinovimet e tjera, nga ku pritet që një pjesë e mirë e lojtarëve të rinovojnë.

Afrimet deri më tani kanë qëndruar në vendnumëro, por së fundmi në klub kanë qarkulluar lajme për një rikthim të mundshëm të sulmuesit Patrik Bardhi, i cili aktualisht është pjesë e Dinamos, por nuk pritet të qëndrojë te blutë në Kategorinë e Parë, pavarësisht se është nën kontratë me klubin kryeqytetas.

Bardhi ka qenë një ndër pikat kyçe të krutanëve për tri sezone radhazi dhe në qoftë se klubet do të gjejnë gjuhën e përbashkët për të afruar sulmuesin anësor, do të ishte një goditje e rëndësishme e krutanëve në merkato.

Mbetet të shihet se si do të vijojnë negociatat mes klubeve për rikthimin e lojtarit në Krujë, me Dinamon, që me shumë mundësi nuk do të bëjë rezistencë.

Sezoni i fundit ishte i gjithi për t’u harruar për ish-talentin e Tiranës për shkak se nuk mundi të gjejë asnjëherë rrugën e rrjetës në Kategorinë Superiore dhe Kupën e Shqipërisë me Dinamon në plot 33 zbritje në fushë.

Gjithsesi, te Kastrioti ai gjen një ambient shumë të njohur dhe në aventurën me krutanët ai ka regjistruar sezone pozitive. 24-vjeçari ka treguar se përveçse sulmues anësor, mund të luajë edhe si mbrojtës krahu.

Deri më tani tiranasi është i vetmi emër që ka qarkulluar, ndërsa në krahun tjetër krutanët po punojnë për rinovime dhe plotësimin e stafit teknik, i cili tashmë duhet të kompletohet pas largimit të trajnerit të portierëve.

Krutanët do të nisin përgatitjet më 4 korrik, ku pas disa javëve stërvitje në FushëKrujë, fazën përgatitore do ta zhvillojnë jashtë vendit. Ndërkohë, emra si Hasani apo Neziri e kanë lënë tashmë klubin krutan.

PATRIK BARDHI

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"