“Dëshirojmë të bëjmë diçka të madhe”, Lorran: Dinamo e ka vetë në dorë “Final 4”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2024 | 10:23

“Dëshirojmë të bëjmë diçka të madhe”, Lorran: Dinamo e ka vetë në dorë “Final 4”

Me 7 pikë në 3 ndeshjet e fundit nuk ka si të mos jesh i kënaqur, por në kampin blu e shohin gotën gjysmë plot, sepse mund të ishte marrë maksimumi i mundshëm. Në Kukës mund të merrej më shumë se barazimi, por duhet theksuar se blutë kishin mungesa të rëndësishme në formacion, si Gudiabi, Zabërgja dhe Kaçorri.

lorran

Tani ndeshjet bëhen më të komplikuara, duke nisur nga ajo me Erzenin, që vjen pas fitores me Egnatian kryesuese. Gjithsesi, për kryeqytetasit pozitiv është fakti që pjesëmarrja ose jo në “Final 4” varet direkt nga rezultatet e tyre dhe jo nga faktorë të tjerë.

LORRAN – Braziliani Lorran, i cili deri tani ka luajtur në të gjitha ndeshjet e kampionatit me fanellën e Dinamos, 27 herë si titullar dhe 3 herë si zëvendësues, beson se kjo skuadër mund të japë diçka më shumë, sepse ka kualitet. “Ne gjithmonë duam më shumë. Më shumë se vendi i 4-t që mbajmë aktualisht. E dimë se mundemi për më shumë, sepse kemi një ekip shumë cilësor”, ka thënë mëngjarashi që me trajnerin Mehmeti ka lënë qendrën e mesfushës dhe po luan në pozicionin e tij natyral, atë të mbrojtësit të majtë. Për barazimin në Kukës, braziliani thekson se një nga problemet kryesore të asaj ndeshjeje ishte fusha e keqe: “Faktori kryesor që na pengoi për ndeshjen e Kukësit, ku ne barazuam, besoj se ishte fusha, që nuk ishte fare në gjendje të mirë”.

ERZENI – Më tej, për ndeshjen e së dielës me Erzenin, Lorran theksoi: “Kjo ndeshje është e një rëndësie shumë të madhe për ne. Dëshirojmë të bëjmë diçka ta madhe në këtë kampionat dhe do ta arrijmë vetëm duke fituar këto ndeshje të fundit, që sigurisht janë shumë të vështira. Le të përgatitemi mirë këtë javë, sepse e dimë që kundër Erzenit është një ndeshje mjaft e fortë. Qëndrimi në 4-shen e parë të renditjes deri në javën e fundit të këtij kampionati mendoj se është vetëm në dorën tonë. Në këtë moment Dinamo varet vetëm nga vetja, nga ajo që do të bëjë në fushë dhe kjo është shumë e rëndësishme”, ka pohuar titullari i formacionit të kryeqytetasve.

GOLI I MUNGUAR – Zakonisht, mbrojtësit e krahëve dhe veçanërisht brazilianët, shfaqen edhe si golashënues, por Lorran ende nuk e ka shijuar golin e parë me blutë. “Jo vetëm për Dinamon, por ende nuk e kam shënuar golin e parë në Superiore. As me Bylisin nuk kam shënuar në Superiore, por vetëm në Kategorinë e Parë. Shpresoj që do të vijë në momentin e duhur dhe ndoshta do t’i bëjë punë skuadrës”, ka përfunduar 28-vjeçari, një nga lojtarët më punëtorë të bluve në këtë kampionat. Lorran është nga ata lojtarë që i kryen më së miri detyrat e veta thuajse në çdo ndeshje.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"