Derbi i Myzeqesë, trajneri Gjyla: Lushnja është gati për Apoloninë, fakti që luhet në Ballsh…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2019 | 14:26

Derbi i Myzeqesë, trajneri Gjyla: Lushnja është gati për Apoloninë, fakti që luhet në Ballsh…

Lushnja e luan sot ndeshjen e javës së dytë me Apoloninë dhe trajneri Ilir Gjyla dje pasdite ka ndjekur nga afër përballjen Besa-Elbasani, e zhvilluar në stadiumin “Roza Haxhiu”. 

gjyla

Sipas kalendarit, në javën e tretë Besa është kundërshtari i Lushnjës dhe tekniku verdhejeshil e skuadra e tij kanë pushuar një ditë para sfidës me Apoloninë. Për përballjen me rivalët kryesorë të grupit, trajneri Ilir Gjyla u shpreh: “Ekipi është i përgatitur. Kemi një mungesë ndaj Apolonisë, Sulken, i cili ka pasur një strapo muskulore. Pak rëndësi ka, sepse skuadra ka 25 futbollistë. Mendoj se Lushnja është e përgatitur për ndeshjen e nesërme (të sotme), por që ta fitosh një ndeshje, e kam thënë edhe herë të tjera, nuk do të thotë të jesh i përgatitur me fjalë, por mendërisht, fizikisht dhe psikologjikisht. Duhet të kesh bindjen se do ta fitosh një ndeshje”, është shprehur trajneri Gjyla.

Më tej, ai ka vlerësuar kundërshtarin, ndërsa e ka cilësuar si një ndeshje të radhës, ku skuadra e tij duhet të japë maksimumin për të fituar. “Mendoj se Apolonia ka një skuadër të mirë. Ka një skuadër me djem të rinj dhe mendoj se ka dëshirë të luajë futboll. Dhe ne e kemi vlerësuar ndeshjen dhe në radhë të parë duhet të respektojmë veten, pastaj kundërshtarin. Derbi? Mua nuk më shqetëson aspak, është një ndeshje e radhës dhe po të pretendosh për të hyrë në Superiore, patjetër duhet të japësh maksimumin për të fituar. Ta japësh maksimumin, edhe nëse humb, nuk ka asnjë problem. Luhet në Ballsh? Nuk ndikon aspak, absolutisht fare. Nëse nuk meriton të fitosh, nuk fiton dot. Nëse nuk luan si duhet futboll, nuk fiton dot”, ka përfunduar trajneri Gjyla.

Rreth 200 mbështetës të Lushnjës pritet të udhëtojnë sot drejt stadiumit “Adush Muça”. Prezent pritet të jetë edhe tifo-grupi “Delegatët”, në mbështetje të skuadrës së zemrës.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"