Drama e Çekiçit, hero dhe dëmtim te Dinamo Zagreb

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2015 | 10:24

Drama e Çekiçit, hero dhe dëmtim te Dinamo Zagreb

endri-cekiciNga parajsa në “ferr”. Kështu mund të konsiderohet pasditja e djeshme e talentit shqiptar Endri Çekiçi. Mesfushori pogradecar luajti dje për herë të parë si titullar me Dinamon e Zagrebit, në përballjen shtëpiake ndaj RNK Splitit, ku aktivizohet edhe Sokol Cikalleshi, por nga më i miri i ndeshjes, përfundoi në barelë në kapërcim të fraksionit të parë të lojës. 18-vjeçari u dëmtua rëndë në minutën e 45-të të takimit, duke lënë fush- ën e lojës nën duartrokitjet e publikut vendës.

Sipas mediave kroate, Çekiçi ka pësuar një dëmtim në kavilje dhe, me shumë gjasa, do të mungojë për një kohë të gjatë. Ndeshja – Pas 23 minutave të zhvilluara në takimin e javës së shkuar (Osijek-Dinamo Zagreb 1-1), ku ai u hodh në fushë për herë të parë në kampionat me gjigantin kroat në minutën e 67-të në vend të Fernandez, dje Çekiçi arriti që të fitonte një fanellë titullari.

Impenjimi i lojtarit gjatë gjithë javës në seancat stërvitore bindën trajnerin Zoran Mamiç që ta hidhte në fushë nga minuta e parë. Dhe natyrisht Çekiç nuk zhgënjen. Talenti bën një ndeshje shumë të mirë dhe nga këmbët e tij vjen edhe avantazhi.

Në minutën e 16-të ai futet bukur në zonë dhe, në momentin e fundit, kur do të gjuante në drejtim të portës, pengohet nga mbrojtësit kundërshtarë dhe për arbitrin është penallti. Te pika e bardhë shkon Henrike dhe 1-0 për vendësit. Pas avantazhit Dinamo e qetëson disi lojën dhe mundohet më së shumti që ta qarkullojë topin.

Nga ana tjetër, RNK Spliti mundohet që të rrezikojë dhe epiqendra e këtij ekipi është Cikalleshi, aty ku adresohen më së shumti topat. Sulmuesi kuqezi pati një rast në minutën e 31-të, por gjuajtja e tij u ndal nga portieri Eduardo. Dëmtimi – E, megjithatë, dy minuta më pas Dinamo e Zagrebit dyfishon, teksa shënon me anë të Fernandezit.

Edhe në këtë gol nuk mungoi pjesëmarrja e Çekiçit, loja e bukur e të cilit do të merrte një trajtë negative në minutën e fundit të pjesës së parë. Talenti pogradecar dëmtohet rëndë në kavilje pas një dyluftimi me kundërshtarin. Në fushë hyjnë fillimisht doktorët, por duke parë dëmtimin, kërkohet barela dhe lojtari shoqërohet menjëherë në dhomat e zhveshjes. Sipas lajmeve që vijnë nga mediat kroate, si dhe klubi i Dinamos, Çekiçi ka futur mbrëmë këmbën në allçi dhe nuk do mund të luajë më për këtë sezon. Lojtarit do t’i duhen deri 6 muaj për t’u rikuperuar totalisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"