Dëmtimi i mohoi Kombëtaren, Selmani tregon vuajtjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2018 | 17:42

Dëmtimi i mohoi Kombëtaren, Selmani tregon vuajtjet

Gentjan Selmani është prej katër sezonesh një nga pikat më të forta të Laçit. Portieri 20-vjeçar është kapiteni me moshën më të re në Kategorinë Superiore dhe pjesë e padiskutueshme e Kombëtares Shpresa. Së fundmi, ai mori një ftesë edhe nga trajneri Kristian Panuçi për ndeshjet nda Skocisë dhe Uellsit, por dëmtimi i mohoi të vishte fanellën e Kombëtares A.

Selmani

“Pas ndeshjes me Partizanin, nisur nga ngarkesa, ditën e nesërme, në grumbullimin e U-21 e ndjeva këmbën shumë të lodhur. Provova të bëja stërvitje, por e pata të pamundur. Bëra një kontroll dhe më duhej të bëja terapi disa ditë që të rikuperohesha plotësisht, sepse kisha një mbingarkesë në muskulin e kofshës së majtë. Ndjej keqardhje, sepse më erdhi ftesa nga trajneri Kristian Panuçi për t’u grumbulluar me Kombëtaren A. Fatkeqësisht, më duhej t’i thosha ‘jo’ për shkak dëmtimi. Por, shpresoj që të bëhem më mirë dhe të jem gati për sfidën e dytë të U-21 ndaj Maltës”, tregon Selmani për “Panorama Sport”.

I pyetur pse vendosi të qëndronte te Laçi edhe këtë sezon, portieri u shpreh: “Jemi në mes të kampionatit dhe nuk dua të flas për merkato. Ndihem shumë mirë te Laçi dhe do të vazhdoj të punoj fort. Do të jap gjithçka deri në ditën e fundit që do të jem aty”. Këtë sezon, kurbinasit kanë bërë një start fantastik, teksa pas 13 ndeshjeve të para kanë grumbulluar 22 pikë, duke qenë në vend të katërt. “Ecuria e ekipit ka qenë e mirë, por duhet të vazhdojmë të rrisim punën dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë. Duhet të ecim përpara, sepse nuk ka kohë për eufori. Të tregohemi me karakter dhe të vazhdojmë të marrim rezultate pozitive.

Kemi ekipin me moshën më të re në Superiore. Mendoj se kemi pasur fatin e madh që presidenti na ka dhënë shansin ne djemve të rinj. Kemi dhënë gjithçka në fushë për t’ia shpërblyer”, përfundoi Selmani, i cili nuk ka munguar asnjë minutë në 13 ndeshjet e këtij kampionati. Në verën e këtij viti, në drejtim të portierit kishte disa oferta, por ai vendosi të vazhdonte karrierën me kurbinasit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"