Demiraj zbërthen Apoloninë, tregon planet e 2017-s

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2017 | 18:29

Demiraj zbërthen Apoloninë, tregon planet e 2017-s

Pasi ka lënë pas pushimet e fundvitit, Apolonia u është rikthyer pasditen e djeshme përgatitjeve për pjesën e dytë të kampionatit. Stafi teknik dhe dejtuesit besojnë se skuadra do të rikthehet më e fortë dhe solide në kampionat. Në një intervistë për gazetën, trajneri Elidon Demiraj zbulon planet e skuadrës në merkaton dhe tregon objektivin që ka ekipi.

Elidon Demiraj

Si ka nisur ky vit për Apoloninë?

Sot (dje) nisëm stërvitjen ku ishin të pranishëm të gjithë futbollistët, të cilët janë rikthyer optimistë dhe me një mentalitet të ri për të punuar më shumë e më mirë gjatë kësaj faze përgatitore, në mënyrë që të rrisin nivelin dhe potencialin e tyre fizik e tekniko-taktik.

Ku do ta zhvilloni fazën përgatitore?

Fillimisht, menduam që ta zhvillonim në ndonjë vend fqinj. Por, në fund vendosëm të stërvitemi në qytetin tonë, pasi kemi të gjitha kushtet e duhura duke filluar nga fushat e futbollit, hoteli për akomodimin e lojtarëve dhe mensën për ushqimin e tyre. Presim që gjatë këtyre ditëve të vijnë për t’u testuar edhe disa lojtarë si nga tregu vendës, ashtu edhe ai i huaj.

Çfarë planesh ka Apolonia për merkaton e janarit?

Dihet që në merkaton e dimrit është e vështirë afrimi i lojtarëve pasi janë në kontratë me ekipet e tyre aktuale. Megjithatë, në bazë edhe të strategjisë së drejtuesve të klubit, jemi në një fazë delikate të merkatos. Kemi studiuar më parë tregun dhe tani do të fillojmë menjëherë pa humbur kohë bisedimet me lojtarët që duam të afrojmë nga tregu vendës.

Presim që brenda kësaj jave të na afrohen edhe disa lojtarë nga tregu i huaj, të cilët do t’i nënshtrohen më parë testimit në mënyrë që të përzgjidhen vetëm ata që do të jenë më cilësorët. Në këtë merkato ne do kërkojmë të afrojmë jo lojtarë për numër, por vetëm cilësorë që të bëjnë diferencën me ata aktualë.

Do të ketë largime nga skuadra?

Për momentin nuk na shqetësojnë largimet, pasi ne kemi një kontingjent të plotë. Por, nëse do të na afrohen lojtarë të tjerë nga merkatoja e kësaj periudhe, atëherë do të shohim e do të vendosim për këtë gjë së bashku dhe me drejtuesit. Megjithatë, nuk besoj se do të ketë largime, por vetëm ndonjë huazim të lojtarëve në ekipe të tjera.

Synimet e skuadrës do të ndryshojnë?

Jo, Apolonia do kërkojë të jetë midis tri ekipeve më të mira të grupit. Mos harroni se jemi një ekip i ri me moshë mesatare 20.6 vjeç me disa lojtarë që nuk kishin luajtur më parë në këtë kategori. Me lojërat që kemi zhvilluar, mund të kishim 6-7 pikë më shumë, por megjithatë unë jam i kënaqur me atë që kemi arritur.

MIKEL MBRIÇAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"