“Dashuria” për italianët, Partizani tenton ish-trajnerin. Të kuqtë e gjejnë shpëtimin te… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2019 | 23:53

“Dashuria” për italianët, Partizani tenton ish-trajnerin. Të kuqtë e gjejnë shpëtimin te… (E PLOTË)

Largimi i trajnerit Franko Lerda duket se nuk ka qenë i mirëmenduar nga Partizani, por një vendim i marrë nga drejtuesit pas humbjes në derbin e 13 dhjetorit. Thuhet kështu, pasi edhe tani që kanë kaluar dy javë nga vendimi, të kuqtë akoma nuk e kanë gjetur pasuesin e trajnerit italian. 

fRANKO-LERDA-770x470

Humbja në derbi përjetohet keq te Partizani i epokës “Demi”, pasi në dy raste që ka ndodhur kjo gjë në 7 sezonet e fundit, trajneri është larguar. I pari ka qenë Hasan Lika pas humbjes në derbin e 7 shkurtit të 2014-ës dhe Franko Lerda, i cili e pësoi më 14 dhjetor, kur një ditë më parë Tirana i mposhti “demat” me rezultatin 2-1.

Është thënë se drejtuesit nuk do të nxitohen në gjetjen e pasuesit të Lerdës, por ajo që ka ndodhur në këto dy javë tregon se klubi po has vështirësi për të bindur trajnerin e duhur.

sormani

Ishte menduar se ka marrë fund aventura e drejtimit të “demave” me trajner të huaj, kështu që ilaçi i duhur do të ishte emërimi i një trajneri vendës me eksperiencë. Duke parë që gjatë këtyre dy javëve drejtuesit nuk kanë arritur akoma të bindin një ekspert vendës, pritet që në skenë të dalë pani B, ku “eldoradoja” do të jetë sërish Italia. Ndonëse eksperienca me trajner të huaj nuk ka rezultuar në asnjë rast e goditur, duket se kjo zgjedhje u ka mbetur në derë drejtuesve të kuq.

Burime parë kampionëve në fuqi kanë bërë me dije për “Panorama Sport” se alternativat e huaja për pasuesin e Lerdës do të kërkohen në Itali. Shpresat janë për bindjen e ndonjë trajneri me emër, gjë e cila u tentua edhe në verë me Zdenek Zeman, por në fund nuk u finalizua nga kërkesat e larta ekonomike për stafin e çekut.

Sormani Partizani

Nëse binden për trajner italian, mund të realizohet dëshira e vjetër e presidentit Gaz Demi, Adolfo Sormani, i cili largua nga të kuqtë pas javës së gjashtë të kampionatit në sezonin 2016-2017. Presidenti e ka pohuar publikisht se me të vetmin trajner që ndihet borxhli, është Adolfo Sormani, pasi e ka quajtur të nxituar largimin e tij.

Duke ditur kushtet ku ndodhet skuadra, Partizani ka nevojë për një trajner që e njeh pak a shumë ambientin dhe realitetin shqiptar. Kështu që, nuk është çudi, që nëse vendoset për trajner të huaj, Adolfo Sormani të jetë më i favorizuari.

Ditë më parë, në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-trajneri italian i të kuqve, Andrea Agostineli, pohoi se nëse do të kishte kontakt nga dy klubet e kryeqytetit, pa dyshim ai do të zgjidhte Partizanin. Drejtuesit e kuq duhet të vendosin shpejt për pasuesin e Lerdës, në mënyrë që çdo hap për pjesën e dytë të sezonit të bëhet me bekimin e trajnerit të ri.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"