Cungu vazhdon të kërkojë lojtarë për “kampionatin e egër”: Më duhet një sulmues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2017 | 15:45

Cungu vazhdon të kërkojë lojtarë për “kampionatin e egër”: Më duhet një sulmues

Tekniku i Vllaznisë, Armando Cungu, vijon të shpresojë në gjetjen e një sulmuesi tjetër, i cili do të mbyllte përfundimisht merkaton e skuadrës së tij. Në një intervistë të dhënë për mediat, trajneri flet edhe në lidhje me konkurrencën në skuadër, duke theksuar se në fushë do të jenë vetëm ata lojtarë të cilët do të jenë në formë më të mirë.

cungu

Keni arritur një fitore minimale ndaj Tërbunit në miqësore. Keni një koment?

Nuk ka aspak rëndësi fitorja minimale në këtë takim. Ishte një takim miqësor dhe të tilla rezultate vlejnë vetëm për moral, por unë jam i kënaqur me rastet e shumta për shënim që arriti ekipi. Por duhet thënë se ai i Pukës ishte më mirë sesa ekipi i Krujës. Gjithashtu, ekipi im ishte më i kontraktuar, pasi një ditë më parë kemi punuar me dy seanca force dhe këmbët e tyre kanë qenë të rënduara. Këtë e pashë edhe vetë, por edhe ma shprehen dhe futbollistët. Megjithatë, ishte diçka pozitive kjo fitore e arritur.

Sa i kënaqur është Cungu nga lojtarët e ardhur së fundmi?

Mund të them se jam i kënaqur prej tyre. Ata po tregojnë se janë afrimet e duhura, por vetëm një lojtar që ishte për provë, nuk ishte ai i duhuri për ne. Kishte ardhur si lojtar i fundit për të luajtur si një 9-tësh i mirëfilltë, por si lojtar që luante pas sulmuesit.

Do të kërkoni për një sulmues deri në fund të merkatos?

Ne kemi nevojë edhe për një sulmues tjetër, pasi Çarls Atsina është i vetmi që kemi. Nisur nga kjo, ne do të tentojmë deri në fund për të plotësuar organikën. Kohë ka edhe s’ka në këtë drejtim, por ne duhet të bëjmë maksimumin deri në fund për ta gjetur këtë futbollist.

Atsina

Keni planifikuar të tjera miqësore deri në fund të fazës përgatitore?

Do të shohim për një tjetër miqësore për ditën e shtunë. Kam kontaktuar me një skuadër dhe jam në pritje të përgjigjeje prej tyre. Ekipit në këto momente i duhen takimet miqësore, pasi po bëhemi gati për t’u futur në kampionat. Këto ndeshje janë të vlefshme.

Në mesfushë duket se ka mbipopullim. Jua shton një gjë e tillë vështirësinë për formacionin?

Unë nuk do të kem absolutisht asnjë lloj vështirësie. Do të kisha dashur që të kisha në çdo repart mbipopullim. Në lojë do të jenë ata lojtarët që do të kenë formën më të mirë. Kush do jetë më serioz në punë dhe do të jetë më në formë, do të zbresë në fushën e lojës. Për mua, Vllaznia ka nevojë për të gjithë. Duhet vetëm të kujtojmë periudhën e dy muajve më parë kur përfunduam me 10 lojtarë. Për këtë dua të them se çdo lojtar duhet të shërbejë e të jetë i gatshëm në çdo moment për aq minuta sa do të ketë nevojë skuadra. Kampionati është i gjatë dhe tepër i egër.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"