Çudira dhe akuza nga Berati: Trajnerë futbolli po japin leksion basketi. “Ekipet sportive”, projekt qokash

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2022 | 21:29

Çudira dhe akuza nga Berati: Trajnerë futbolli po japin leksion basketi. “Ekipet sportive”, projekt qokash

Projekti “Ekipet Sportive” i financuar nga qeveria dhe i menaxhuar nga KOKSH-i, për masivizimin dhe formalizmin e basketbollit dhe volejbollit në shkolla, po shoqërohet me pakënaqësi, hije dyshimi dhe kontestime në Berat. Specialisti i sportit të koshit beratas Rolenc Mato, ish-basketbollisti i Tomorit, Studentit dhe Flamurtarit, aktualisht mësues i edukimit fizik në shkollën 9-vjeçare “22 Tetori” dhe trajner i ekipeve të moshave të Tomorit, ka analizuar menaxhimin e këtij projekti.

ekipet sportive ne shkolla

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Mato ka denoncuar funksionimin sipas tij të keq të këtij projekti në qarkun e Beratit. “Të them të drejtën, fillimisht u gëzova shumë për këtë projekt nga KOKSH-i. Por pas entuziazmit të fillimit, më duhet të them se në mes zhgënjimit tim të thellë, tani më rezulton si një projekt ‘qokash’, për të cilin nuk dua të pajtohem për sa i përket sedrës profesionale”, shprehet fillimisht Mato, i cili më tej radhit një sërë faktesh për të argumentuar më së miri pretendimin e tij:

“Më konkretisht, në Berat ky projekt duhej t’i besohej dy trajnerëve të njohur dhe të profilizuar në volejboll dhe basketboll si Edi Kumati dhe unë. Mirëpo për fat të keq nuk ndodhi kështu, pasi projekti iu besua presidentit të Rafting Albania, i cili mua personalisht në fillim më kërkonte diplomën dhe çfarë kursi kisha bërë që të dëshmoja se isha trajner basketbolli. Ky moment ishte jo vetëm fyes për mua, por edhe një skandal”, rrëfen trajneri beratas i basketbollit, i cili më tej ngre alarmin, teksa thekson së fëmijëve po u jepen leksione basketbolli dhe volejbolli nga trajnerë futbolli:

Rolenc Mato

Rolenc Mato

“Unë, i njohur për karrierën time, dhe që jam aktualisht trajner moshash në klubin shumësportësh, më japin vetëm një ekip, ndërsa kanë marrë nga dy ekipe basketbolli trajnerë dhe specialistë futbolli, por edhe disa persona që s’kanë çfarë t’u mësojnë fëmijëve basketboll, sepse nuk e njohin teknikisht këtë sport, pasi janë të profilizuar për një tjetër sport. Këtu kanë faj dhe përgjegjësi të gjithë ata që nuk verifikuan diplomat e gjithsecilit. Nuk mund të bësh trajnerin e volejbollit dhe basketbollit pa pasur njohuritë më elementare, sepse s’ke çfarë ju mëson fëmijëve. Por me këtë mënyrë të vepruari, gjithçka i bie, se trajnerët janë vendosur me miq dhe pa merita profesionale, që të përfitojnë më shumë nga ana financiare.

Po të shikosh mënyrën se si raportohet për punën e kryer javore ose dhjetëditore, e kupton akoma më mirë diferencën në shkallën e profesionalizmit. Ndaj unë them se ka qenë një projekt ‘qokash’ në Berat. Jam i bindur që pas gjashtë muajsh të projektit, jo vetëm fëmijët nuk do të kenë përfituar nga puna e kryer, por askush nuk flet dhe jep garanci se ku do të shkojnë më pas këta fëmijë. Me këtë projekt, i bie të kenë fituar vetëm trajnerët falë ndereve që u bënë me urdhër nga Tirana.

Kam bindjen e plotë se në këtë projekt u përfshinë më shumë trajnerët e futbollit, për të përfituar rrogën e 30 mijë lekëve të reja në muaj, duke pasur nga dy ekipe, sesa ju shërbye investimit për të ringritur ekipet e lojërave me dorë. Po të bëni një sondazh me mësuesit e edukimit fizik nëpër shkollat e Beratit, do të merrni edhe ‘produktin’ e kësaj maskarade që u bë jo vetëm në këtë qytet, por edhe në Poliçan, Skrapar dhe Dimal, në emër të gjoja projektit të famshëm, në të cilin vetëm sportet tona të lojërave me dorë nuk fitojnë”, përfundon trajneri Mato.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"