Çudia me vëllezërit Dallku, shtetësi e mbiemra të ndryshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2014 | 11:47

Çudia me vëllezërit Dallku, shtetësi e mbiemra të ndryshëm

Dallku_153853Ka kaluar më shumë se një vit që kur futbollisti kosovar Ardin Dallku ka kaluar nga juniorët e skuadrës së Prishtinës tek ekipi rezervë i Vorskla Potlavës. Por atij ende disa nuk i besojnë se ka vëlla kapitenin e ekipit të parë të Vorsklas, Armend Dallkun. Bindja e qytetarëve dhe tifozëve se Ardini e Armendi nuk janë vëllezër është se të dy futbollistët kanë nënshtetësi të ndryshme, madje “u ndryshon” edhe mbiemri. Ardini në Federatën e Futbollit të Ukrainës është i regjistruar me pasaportë të Serbisë dhe në atë pasaportë mbiemri i figuron si “Dalku”, kurse Armendit, ashtu siç e ka në të vërtetë “Dallku”. Armendi, ndryshe nga Ardini është i regjistruar me pasaportë të Shqipërisë. Rasti i tyre shpesh ka sjellë edhe të qeshura në klub dhe në qytetin e Vorsklas. “U bë shaka e madhe për mbiemrin tonë, pasi dy vëllezër me një kombësi, brenda një ekipi dhe një qyteti të kemi mbiemra të ndryshëm… Për ta, ishte shumë interesante. U bë shaka e madhe këtu në qytet”, ka thënë vëllai i madh i Ardinit, Armend Dallku, reprezentues i rregullt i Kombëtares shqiptare. Dallku thotë se ua ka shpjeguar të gjithëve pse vëllai i vogël ka mbiemrin Dalku, kurse ai Dallku. “Ne ua kemi shpjeguar të gjithëve që kjo është vetëm në dokumentacione, pasi ai mban të Serbisë, e unë të Shqipërisë”, ka shtuar Dallku. “Serbët shkronjën ‘Ll’ ia kanë shkruar si ‘L'”. Armendi tregon edhe arsyet pse vëllai i tij u pajis me pasaportë serbe. “Vëllait tim i është dashur të nxjerrë pasaportë serbe që fillimisht të vijë në Ukrainë e më pas për t’u regjistruar si futbollist i Vorsklas në Federatën e Futbollit të Ukrainës, pasi me atë të Kosovës nuk ka mundur, meqë Ukraina nuk e njeh Kosovën si shtet. Në pasaportën e tij shkruan mbiemri Dalku, për dallim nga unë që e kam pasaportën shqiptare, e më shkruan Dallku”, shpjegon Armendi. “Pra, e vetmja mënyrë për të ardhur në Ukrainë ka qenë marrja e pasaportës Serbe”. Për shakanë që është bërë në qytetin e Vorsklas rrëfehet edhe protagonisti Ardin Dallku, që ende njihet me mbiemrin Dalku në Ukrainë. Ai tregon se muajt e parë në Vorskla ishin të vështira, për shumë motive. “Në fillim ishte shumë e vështirë t’u shpjegohet që jemi vëllezër. Nuk besonin, dy vëllezër me nënshtetësi të ndryshme. Por, ia kemi dalë me sukses dhe tashmë shumica e dinë që jemi vëllezër, edhe pse ka raste që ende nuk besojnë”, ka theksuar Ardin Dallku. Ardini thotë se më shumë shaka kanë bërë shokët e skuadrës. Por, edhe kjo është tejkaluar. E dilema do të hiqet përfundimisht pasi të përfundojë sezoni 2013-2014 në elitën e futbollit të Ukrainës, kur edhe Ardini do të ndërrojë dokumentacionin. “Tani që ka edhe pasaportë shqiptare e ka mundësinë që të ndërrojë dokumentacionin, e me këtë të “kthejë” mbiemrin e vërtetë”, ka thënë Armendi. Ardini 18-vjeçar, para disa muajsh është bërë edhe me pasaportë shqiptare. Por, pa përfunduar pjesa e parë e edicionit 2013-2014 nuk mund të ndërrohet dokumentacioni në Federatën e Futbollit të Ukrainës. Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Armend Dallku, pjesë e Vorskla Potlavës është që nga viti 2004. Ai në këtë edicion, në elitën e futbollit të Ukrainës po mban edhe shiritin e kapitenit të ekipit ukrainas. Edhe Ardini shpreson të shkojë pas hapave të vëllait të tij të madh. Ardini luan për ekipin rezervë të kësaj skuadre, por shpreson që në një të ardhme të afërt të arrijë të luajë përkrah vëllait të tij, Armendit, në qendër të mbrojtjes. “Synimi im është që të luaj përkrah vëllait tim, por unë kam shumë punë për të bërë që të formohem si lojtar. Unë i kam vetëm 18 vjet dhe i kam të gjitha përpara vetes”, ka theksuar Ardini. Por, mbiemri i tyre nuk është “problemi” i vetëm për vëllezërit Dallku në Ukrainë. Ata duhet edhe për shumëçka tjetër të shpjegohen në shoqëri. “Shumë njerëz nuk e dinë se ku është Kosova. Edhe mua më njohin vetëm si shqiptar nga Shqipëria”, ka thënë Armend Dallku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"