Çiklistët ngatërrojnë rrugën, Veliaj fiton etapën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2014 | 21:25

Çiklistët ngatërrojnë rrugën, Veliaj fiton etapën

ciklizmiTuri i 71-të çiklistik u ndal dje në qytetin e Vlorës me etapën e katërt, 118 kilometra e gjatë. I pari që preu finishin ishte sërish çiklisti i Tiranës, Olsion Veliaj, me kohën e përgjithshme 2 orë 58 minuta e 31 sekonda. Pas Veliajt, me vetëm një sekondë diferencë, u klasifikua Stefan Petrovski i Vela Kumanovës së Maqedonisë dhe po një sekondë pas tij mbërriti Marko Stankoviç i Novi Pazar. Çiklistët mbërritën në hyrje të qytetit të Vlorës rreth orës 13:55 minuta. Mirëpo, si të mos mjaftonin polemikat e një dite më parë në etapën e tretë me epilog qytetin e Durrësit, ku mosmenaxhimi siç duhet i garës nga forcat e policisë solli edhe kaos rreth 50 m përpara finishit, dje pati konfuzitet me itinerarin e ndjekur nga gjyqtaria. Mësohet se grupi i gjyqtarisë ka ngatërruar rrugën, duke marrë kthesën për në Ballsh dhe, ndërsa kishin përshkruar diku te 1 km, janë kthyer mbrapsht. Por ky incident ka sjellë edhe vonesa. Megjithatë, gara vijoi normalisht dhe organizatorët e turit kanë falënderuar prezencën e Policisë së Shtetit për monitorimin e garës. Ndërkohë, në përfundim të etapës së katërt, në krye të klasifikimit të përgjithshëm individual qëndron sërish Stankoviç, me një diferencë prej 2 minutash nga ndjekësi i tij më i afërt, çiklisti i Teutës, Hyrmet Kastrati. Edhe në renditjen ekipore nuk ka ndryshim me vendin e parë dhe ajo ruhet nga Apolonia e shkëputur me tetë minuta nga skuadra e Novi Pazar. Sot pedalimi vijon me etapën e parafundit (e pesta) Vlorë-Përmet sërish 118 kilometra e gjatë për të ulur siparin të shtunën me Përmet-Fier 125 km. Për etapën e sotme pritshmëritë janë për ndryshime të rezultateve për shkak të malores në Fratar. “Nuk parashikohet ndonjë ndryshim i madh, por si gjithmonë sporti ka të papriturat e veta”, u shprehën nga gjyqtaria për “Panorama Sport”. Ndërkohë, në një prononcim për gazetën, Veliaj tha: “Kjo e sotmja ishte një etapë e vështirë, por që me pak mund e sakrificë ia dola. Falënderoj Zotin që nuk pati ndonjë incident rrugës. Ky rezultat më motivon më tepër për etapën e pestë”. Në mbërritje të garës u vu re edhe çiklist i gjakosur, i cili mësohet se kishte rrëshqitur në një kthesë afër Levanit.
OLSEN LLAMBRO

Etapa e katërt
ÇIKLISTI KOHA
1. Olsion Veliaj (Tirana) 2h58’31”
2. Stefan Petrovski
(Velo M Kumanova) 2h58’32”
3. Marko Stankoviç
(Novi Pazar) 2h58’33”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"