Çelsi i derbit/ Shehi ka asin nën mëngë, Tirana është e “hidhur” në zonë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2024 | 12:25

Çelsi i derbit/ Shehi ka asin nën mëngë, Tirana është e “hidhur” në zonë…

Partizani vjen në këtë derbi me një pikë të fortë: mbrojtjen. Pavarësisht mungesave të shumta që ka pasur në këtë repart ekipi kampion ka pësuar 22 gola, duke qenë një nga mbrojtjet më të mira të kampionatit së bashku me Vllazninë dhe Laçin (po 22 gola të pësuar).Mirëpo, për të fituar derbin duhen golat dhe Cara me shokë janë të thirrur në apel këtë herë. Skuadra e Shehit ka shënuar 31 gola këtë sezon dhe bie në sy mënyra se si janë shënuar.MixCollage-16-Feb-2024-12-15-PM-4258

PARTIZANI

AJRI- Lufta e ajrit ka qenë një nga pikat më të forta për ekipin kampion në fuqi. E thonë vetë statistikat. “Demat” kanë arritur të realizojnë 11 herë me kokë, qoftë me goditje standarde apo me aksion. Shifër e barabartë me golat e realizuar me këmbën e djathtë (11) që tregon se duelet ajrore janë një armë që Shehi mund ta përdorë kundër ish-ekipit të tij. Mensah, Maget, Bintsuka dhe të tjerë kanë rezultuar fatalë për ekipet kundërshtare. Me të majtën janë realizuar 8 gola në këtë sezon.

ZONA- Partizani ka arritur të shënojë 27 gola brenda zonës kundërshtare në këtë sezon deri tani dhe 3 gola jashtë saj. Duket se saktësia nga jashtë zonës nuk ka qenë më e mira e mundshme dhe goditjet ose janë ndalur nga portierët ose kanë përfunduar jashtë. Megjithatë, kjo tregon se skuadra kërkon të zbresë në mënyrë graduale dhe të sulmojë zonën e kundërshtarit.

AKSIONET- Nga 30 gola të realizuar në total, të kuqtë kanë arritur të shënojnë 22 me aksione dhe vetëm 8 me goditje standarde, ku përfshihen goditjet e këndit, faullet dhe penalltitë. Kjo nxjerr një tjetër përfundim, se golat me kokë janë realizuar edhe nga aksionet. Mirëpo, fitorja e fundit për Partizanin ka ardhur pikërisht nga një top i ndalur dhe bëhet fjalë për 11- metërshin për ndeshjen kundër Teutës që u shndërrua në gol nga Tedi Cara. Pas kësaj fitoreje kanë ardhur 2 humbje dhe 2 barazime.

PORTA RIVALE- Një tjetër aspekt i rëndësishëm për të goditur kundërshtarin është të njohësh edhe portierin. Partizani ka një shpërndarje të mirë të golave në kuadratin rival, pasi 11 herë e ka çuar topin nga e majta e portës, 7 herë në mes dhe 12 herë nga e djathta. Këtu është e vështirë që të bësh parashikime për të ndalur goditjet e skuadrës së kuqe.

TIRANA

Tirana është sulmi i dytë më i mirë i kampionatit me 41 gola të shënuar, 1 më pak sesa EgnatiaKjo është diçka që jep besim për ekipin e Julian Ahmatajt, por problemi i madh është se disa prej lojtarëve që kanë mbajtur një peshë të konsiderueshme të golit janë larguar në merkaton e janarit (16). Madje u largua bomberi Florent Hasani. Megjithatë, ekipi bardheblu ka disa alternativa të tjera për të gjetur rrugën e rrjetës, ndërsa duhet të bëjë kujdes në mbrojtje sepse e ka nxjerrë topin nga porta e saj 35 herë.

E DJATHTA- Pavarësisht prezencës së Florent Hasanit për gjysmën e kampionatit dhe faktit që ai ka pasur të preferuar këmbën e majtë, Tirana ka arritur të shënojë më shumë gola me këmbën e djathtë. Ekzaktësisht janë 20 gola me të djathtën, 12 me të majtën dhe 9 me kokë. Më pak sesa Partizani. Mungesa e një sulmuesi tipik me karakteristikat e një pyke bën që të mos ketë shumë gola me kokë.

BRENDA ZONËS- Tirana ka arritur të shënojë thuajse të gjithë golat në këtë sezon brenda zonës, ose më saktë: Vetëm 1 gol në këtë vit e ka realizuar jashtë saj. Bëhet fjalë për atë të Regi Lushkjes kundër Teutës në barazimin 2-2, ku provoi me një predhë dhe e çoi në rrjetë. Depërtimet e lojtarëve të krahut, ndjekja e aksioneve dhe finalizimi i tyre brenda zonës ka qenë një armë e fortë, nga e cila Ahmataj mund të përfitojë dhe Partizani të bëjë kujdes.

STANDARDET- Topat e ndalur janë një tjetër mundësi e mirë për skuadrën e Tiranës. Goditjet nga këndi, por mbi të gjitha penalltitë kanë qenë të rëndësishme në raste të caktuara të ndeshjeve. Tirana është treguar e saktë në më të shumtën e rasteve nga pika e bardhë. Në total ka arritur të realizojë 15 gola me topa të ndalur (faulle, penallti, korne) dhe 26 gola me aksione.

PORTA RIVALE- Skuadra bardheblu ka shënuar më shumë gola nga e djathta, ose majtas portierit. Aty ka arritur të gjejë çelësin e suksesit në disa ndeshje (17 herë). Por shumë gola janë realizuar edhe në mesin e portës (11), kur kanë kaluar edhe portierin. Ndërkohë që në të majtë bardheblutë kanë realizuar 13 gola. Mirëpo, në një derbi nuk vlejnë statistikat dhe historia. Vlen vetëm momenti, aksioni ose detaji që mund të rezultojë vendimtar për të marrë fitoren.

GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"