Burreli ngre flamurin në Vlorë, kuqezinjtë “harakiri” në shtëpi. Memushi: Humbje e papritur, fituan me një goditje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2024 | 12:40

Burreli ngre flamurin në Vlorë, kuqezinjtë “harakiri” në shtëpi. Memushi: Humbje e papritur, fituan me një goditje

Flamurtari i thotë “lamtumirë” elitës nga dy vendet e para. Burreli ka surprizuar vlonjatët në shtëpi teksa u ka marrë tri pikë në startin e fazës së tretë. Me Eqerem Memushin që udhëhiqte nga tribuna dhe me Andi Ribajn në pankinë, Flamurtari duket më kërkues në minutat e para.

memushi

Zani provon për miqtë nga goditje dënimi, por topi përplaset në murin mbrojtës të vlonjatëve. Frashëri kalibron një gjuajtje të fortë, por Dani largon rrezikun. 10 minuta lojë dhe vendasit kanë diktatin. Sidibe tenton të surprizojë nga distanca Danin, por ai grushton pa problem. Ka vend kërcënimi edhe për Diamantin që dërgon një top tokazi nga jashtë zone, por pa shënjestrën e duhur. Edhe gjuajtje e Bathës nga distanca përfundon në duart e Danit.

Zani provon nga këndi, por largon Teqja. Dalanaj ka një mundësi të mirë shënimi, por portieri i matjanëve është në ditën e tij më të mirë. Vucaj “kërcënon” në vijim me një gjuajtje, por nuk tregohet i saktë. Batha çon një top ngjitur me shtyllën e majtë pingule, por nuk bën më shumë se kaq. Zgjohet Burreli që për shumë minuta nuk i ishte afruar asnjëherë portës së vendasve. Indio kundërpërgjigjet nga këndi, por nuk gjen dot hapësira. Tre minutat shtesë në fund të pjesës së parë do të shënonin vetëm një mundësi të Gustavos nga distanca, por që shkon në duart e Danit.

Pjesa e dytë -Katër minuta nga nisja e këtij fraksioni, miqtë do të kalonin në avantazh me Farrukun, që shmang mbrojtjen dhe portierin Teqja dhe shënon, 0-1. Burreli shpërthen në festë, ndërsa vlonjatët në heshtje. Në minutat në vijim kuqezinjtë do të bënin disa kundërsulme, por mbrojtja mike është në lartësinë e duhur. Miqtë marrin zemër nga goli duke bërë më shumë presion. Një top i Shkurtaj nga distanca përfundon në duart e Danit.

Raste kanë edhe Paolo Pjeshka dhe Leshi, por nuk konkretizuan, ndërsa Sidibe nuk devijon dot me kokë. Shkurtaj ka një shans me roveshatë, por nuk gjen dot rrjetën. Në vijim do të jetë Fetaj që vendos në vështirësi vlonjatët. Pavarësisht kombinimeve të Bathës, Sidibes dhe Podrimcakut, mbrojtja mike është “gardh”. Në fund festa është vetëm e Burrelit, ndërsa kjo humbje hidhëron jo pak skuadrën e Eqerem Memushit, që tashmë do të duhet të kalojë përmes malores së “play off”-it e drejt ngjitjes.

Memushi: Humbje e papritur, fituan me një goditje

Eqerem Memushi, trajneri i Flamurtarit nuk e kishte menduar aspak humbjen përballë Burrelit. Pas ndeshjes ai tha se pavarësisht se futbollistët e tij dhanë maksimumin, kjo nuk u mjaftoi. “Ishte një rezultat i papritur duke parë ecurinë e skuadrës deri tani. Ishte një ndeshje që luhej në shtëpi. Dhamë maksimumin në të dyja pjesët. Flamurtari është i bukur dhe i papritur. Rastin e Burrelit nuk e quaj as aksion dhe as sulm. Me një goditje në portë mund të marrësh edhe tri pikët dhe këtë gjë e bëri Burreli sot (dje). Falënderoj skuadrën, por edhe Burrelit i uroj suksese. Natyrisht që ky rezultat na penalizon për të kapur vendet e para”, tha Memushi për “Panorama Sport”.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"