Burreli merr ashensorin për lart pas fitores me Vorën, trajneri Hima: Meritojmë renditje më të mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 11, 2024 | 13:12

Burreli merr ashensorin për lart pas fitores me Vorën, trajneri Hima: Meritojmë renditje më të mirë

Matjanët kanë marrë një tjetër fitore me rëndësi. Pas triumfit në Vlorë, Burreli ka mposhtur të shtunën Vorën në shifrat 2-1 në stadiumin “Liri Ballabani”. Me këtë trepikësh matjanët e drejtuar nga trajneri Klevis Hima janë larguar provizorisht nga zona e rrezikut duke u ngjitur në vendin e shtatë me 28 pikë.

HIMA BURRELI

Ndeshja nisi me skuadrën vendase në kërkim të golit që në minutat e para. Nuk vonon dhe në minutën e shtatë Burreli kalon në avantazh me shkodranin Dulaj. Goli sikur shkund miqtë nga Vora, që nuk pajtohen me humbjen dhe krijojnë disa mundësi shënimi. Por goli i Vorës erdhi vetëm në minutën e 33-të. Qardaku fut një top në zonë për Raboshtën, i cili i ndodhur në qendër të zonës, nuk fal, godet saktë më kokë duke ndëshkuar ish-skuadrën.

Goli i barazimit nuk i dekurajon vendasit që hidhen menjëherë në kërkim të golit të fitores. Në minutën e 45-të Burreli kalon në avantazh me mbrojtësin Dikson, i cili i ardhur në ndihmë të sulmit finalizon saktë. Në shifrat 2-1 u mbyll pjesa e parë, rezultat i cili mbeti i pandryshuar edhe në 45 minuta e dyta. Në minutën e tretë shtesë, miqtë pretenduan për 11-metërsh pas një pengimit të Prengajt. Gjyqtari ndëshkoi për protestë Raboshtën me karton të verdhë, ndërsa Tabaku i ndodhur në pankinë merr të kuqin.

Hima: Meritojmë renditje më të mirë

Klevis Hima, trajner i Burrelit, pas ndeshjes u shpreh: “Jam i kënaqur me lojën dhe tri pikët. E dinim se ishte një ndeshje e vështirë, pasi dihet kapaciteti i Vorës. Ishim përgatitur seriozisht gjatë javës për të bllokuar sulmet e Vorës, që ka lojtarë të spikatur në këtë repart. Me lojërat që kemi zhvilluar nuk e meritojmë të kemi këtë renditje. Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Unë kam besim se skuadra do të ecë përpara”.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"