Burreli fiton dhe “zhyt” Tomorin, trajneri Hima: Goli i shpejtë na ndihmoi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2024 | 14:33

Burreli fiton dhe “zhyt” Tomorin, trajneri Hima: Goli i shpejtë na ndihmoi

Me fitoren e arritur të shtunën ndaj Tomorit, me rezultatin 2-0, skuadra matjane ka hedhur një hap të rëndësishëm për mbijetesën në Kategorinë e Parë. Fitorja ka ardhur në saj të lojës plot grintë që u shoqërua me shënimin e dy golave, nga një në secilën pjesë.

HIMA BURRELI

Ndonëse asgjë nuk ka përfunduar, fitorja ndaj beratasve kthen qetësinë e duhur për të përballuar më me optimizëm ndeshjen e javës së ardhshme me Luzin në transfertë. Me humbjen në Burrel, beratasit i kanë komplikuar dukshëm pozitat e tyre në renditje.

Ndeshja nisi me Burrelin në kërkim të golit të parë. Pas disa përpjekjeve, në të 18-ën vjen dhe goli i parë. Kros i Dulajt nga goditja e këndit dhe Kastrati i ndodhur në qendër të zonës, godet mjaft bukur më kokë dhe 1-0 për Burrelin. Në minutën e 78-të nga një goditje dënimi në distancë, Fetaj godet fuqishëm, portieri mik nuk e kontrollon si duhet topin dhe Kurbneshi nuk fal, 2-0.

KLEVIS HIMA-

Pas ndeshjes trajneri Klevis Hima i Burrelit u shpreh: ”Ndeshjen e kishim përgatitur në çdo detaj. Goli i shpejtë na ndihmoi dhe nga ai moment nuk e vumë në dyshim fitoren. Një falënderim shkon për sportdashësit. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës, ndaj Luzit në transfertë”.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"