Braçe në kundërsulm: Koçi është i urdhëruar të gabojë, llogaritar në një prej bizneseve të zyrtarit të FSHF

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2018 | 11:13

Braçe në kundërsulm: Koçi është i urdhëruar të gabojë, llogaritar në një prej bizneseve të zyrtarit të FSHF

Nuk ka përfunduar gjithçka në ndeshjen PartizaniSkënderbeu. Ajo çfarë është raportuar si ngjarje në fund të ndeshjes, tashmë është kaluar në një tjetër aspekt. Fillimisht ishte arbitri i ndeshjes, Andi Koçi, i cili deklaroi publikisht se çfarë kishte ndodhur, duke akuzuar deputetin Braçe se e kishte goditur në fund të takimit. Dje, deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, me anë të një statusi në rrjetin social “Facebook”, ka publikuar të dhëna për dypunësimin e arbitrit kryesor në Kategorinë Superiore. Sipas Braçes, gjyqtari është i lidhur jo vetëm prej pagesës për arbitrimin, por edhe për punësimin si llogaritar në një akademi, që ka lidhje me institucionin e futbollit në vend. Deputeti i Partisë Socialiste denoncon lidhjen që ka akademia në fjalë me institucionin e futbollit në vend për shkak se aktiviteti i saj zhvillohet në një fushë që është ndërtuar nga FSHF, me fonde të UEFA-s.
brace demi
Më poshtë, ja edhe statusi i plotë i deputetit Erjon Braçe:

SHIHNI ÇFARË TURPI! ANDI KOÇI, LLOGARITAR NË BIZNESIN E NJË PREJ ZYRTARËVE TË FSHF NË PRONËN E FSHF! JA SISTEMI KRIMINAL I ARMAND DUKËS!

Kam pasur gjithnjë interes të di se çfarë bëjnë në jetën tjetër, atë përtej arbitrimit, gjyqtarët që arbitrojnë garat e Superligës, punë e cila i ka bërë kaq pa integritet, dinjitet, të përdorur deri në shkatërrim të një gare, paracaktim të saj. Kurrë nuk jam marrë të mësoj për këtë; mbase inati ka dalë të nesërmen dhe kam harruar. Por Andi Koçi me shtyu të mos harroj këtë herë. Në vitin 2013, FSHF, biznesi personal i Armand Dukës, i ka dhënë në përdorim njërit prej nëpunësve të saj, atë kohë me rrogë tani e ka të kontraktuar, kompleksin stërvitor të ekipeve kombëtare në Kamzë. Ai e ka edhe sot për një qellim të mirë mbase, Akademi Futbolli, por me pagesë për fëmijët e të rinjtë dhe qira për FSHF. Andi Koçi, gjyqtar në garat e futbollit të organizuara nga po e njëjta FSHF është llogaritar i këtij “biznesi jofitimprurës”. M’u deshën pak minuta të mëngjesit të sotëm për të më- suar këtë fakt! Provat i kam unë! E kuptoni? FSHF, biznes personal i Armand Dukës, merr para nga UEFA dhe ndërton kompleksin stërvitor të ekipeve kombëtare, ia jep me qira njërit prej punonjësve të saj atëkohë e aktualisht dhe ky merr llogaritar në këtë “biznes jo fitimprurës” Andi Koçin, gjyqtarin që duhet të jetë tërësisht i paanshëm dhe i pandikueshëm në gjykimet e tij të garave nga FSHF! A ka më skandal se kaq?!

Urdhëroni e më thoni! Ky njeri që paguhet në këtë mënyrë nga një prej zyrtarëve të FSHF-së, a mund të jetë jashtë ndikimit të saj në gjykim? Ndikim them unë, urdhërim është troç! E kuptoni se nga vijnë gabimet e Andi Koçit sipas atij planit të hartuar nga Armand Duka, ekzekutuar nga Ilir Shulku e sipas të cilit dihet kampioni, vendi i dytë, i tretë, kush bie nga Superliga, kush fiton Kupën e Shqipërisë?! E kanë të punësuar këta, Duka dhe nëpunësit e tij, i kanë rrogën në dorë këta, e kushtëzojnë këta! Ky është Sistemi! Është kriminal sa s’ka ku të shkojë më! Andi Koçi shkruante sot (dje) se nuk e kuptonte ç’lloj njeriu isha unë! Natyrisht, do ishte fyerje për mua të më kuptojë ky, një arbitër pjesë e një sistemi kriminal që paravendos garat, tallet me djersën e futbollistëve në fushë, pasionin e njerëzve në stadium, miliona të tjerëve para ekranit, thjesht dhe vetëm sepse paguhet në jetën tjetër, atë përtej arbitrimit, po nga zyrtarët e FSHF-së! Ky sistem kriminal duhet shkatërruar!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"