Botërori, Shqipëria një hap larg medaljes me Nishevcin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2014 | 11:51

Botërori, Shqipëria një hap larg medaljes me Nishevcin

KarateNga datat 3-9 nëntor u zhvillua në Bremen të Gjermanisë kampionati i 22-të botëror i karatesë për të rritur. Sipas sekretares së përgjithshme të federatës Erikela Ismailgeci, Shqipëria u përfaqësua me presidentin e federatës Petrit Baba, trajnerin Parid Dule dhe sportistët Orges Arifi – 60 kg, Xhino Toli -67 kg, Alvin Karaqi -84 kg dhe Herolind Nishevci +84 kg. Punimet e Botërorit nisën me kongresin zgjedhor të federatës botërore (WKF), ku mori pjesë me të drejtë vote edhe presidenti Baba. Në axhendën e delegacionit shqiptar ishin edhe një sërë takimesh me federatat homologe, ku u bisedua për bashkëpunim reciprok në fushën e zhvillimit të sportit të karatesë në vendin tonë. Akreditimi i trajnerëve u zhvillua më 4 nëntor, ku mori pjesë trajneri Dule, i cili u pajis me licencën e trajnerit ndërkombëtar për edicionin 2014-2017. Në vijim të garave, i pari nga tanët u ndesh Karaqi. Provën e parë shqiptari e kalon me sukses 4-3 me rivalin nga Irlanda e Veriut Xhejms Branton, por eliminohet në raundin tjetër 5-7 me britanikun Elton Braun. Sipas federatës, gjatë zhvillimit të dy garave u ndje një farë nervozizmi dhe gjendje jo e mirë psikologjike dhe emocionale, e cila ndikoi negativisht në rezultatin final. Më pas ishte radha e Herolind Nishevcit. Shqiptari eliminoi bjellorusin Andrej Grineçiv 1- 0 dhe ekuadorianin Frenklin Mina 2-1, ndërsa u mposht 7-0 nga turku Enes Erkan. Në ripeshkim shqiptari merr edhe dy fitore të tjera, 1-0 me estonezin Tenal Pabo dhe 3-1 përballë holandezit Moreno Shepard. Në duelin e vlefshëm për medalje bronzi, Nishevci humbi 2-4 me spanjollin Fernadez Vizueta, duke e mbyllur kështu Botërorin në vend të pestë. Përfaqësimi shqiptar u pasua nga Arifi dhe Toli. Në peshën -67 kg, Toli fiton bindshëm sfidën e parë 6-0 me taxhikistanasin Parvizi Khaydarali, si dhe të dytën 2-0 përballë afrikano-jugorit Adrian Boyendsjan. Në turin e tretë shqiptari do të humbte me diferencë të ngushtë 2-3 me ukrainasin Oleksandër Khakhula dhe e mbyll këtu garimin. Dy prova të suksesshme edhe për Arifin në -60 kg me të njëjtin rezultat 2-1 ndaj katarianit Abdullah Shalvan e kolumbiani Andres Rendon, por hovin e ndal iraniani Amir Mahdi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"