Botërori, Qerimaj: Do të synoj medaljen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2014 | 12:17

Botërori, Qerimaj: Do të synoj medaljen

QerimajE gjithë vëmendja e sportdashësve shqiptarë është sot në kampionatin botëror të peshëngritjes, i cili po mbahet në Almati të Kazakistanit. Pas Emanuel Lushit dhe Shqiponja Brahja, do të ngjiten në pedant katër kuqezinj të tjerë. Siparin e ngre Krenar Shoraj në peshën 85 kg, bateria C, më pas do të ngjiten në pedant tre favoritët për zonën e medaljes Daniel Godelli e Erkand Qerimaj në peshën 77 kg, bateria A, dhe e mbyll konkurrimin Hysen Pulaku në peshën 85 kg, bateria B. Pak orë përpara garës, në një prononcim për “Panorama Sport” nga Kazakistani, kampioni i Europës në fuqi, Erkand Qerimaj, shprehet optimist për formën që gëzon. Ndërsa nuk preferon të vërë bast, shkodrani kërkon të japë maksimumin. “Forma që gëzoj për momentin është shumë e mirë, përtej tërheqjes në bërryl të pak kohëve më parë. Mund t’ju them se në kampionatin kombëtar bëra një gabim në garë. Duke pasur parasysh përgatitjen për Botëror që më la gati një muaj pa stërvitje. Këto kohë kam bërë dy javë e pak stërvitje normale. Përpara garës nuk preferoj të bëj parashikime. Nëse do të jetë një ditë e bukur dhe do të jem në formën optimale, besoj se mund të realizoj prova për të hyrë në zonën e medaljes. Por duhet pranuar se konkurrenca është shumë e fortë. Vetë fakti që është Botëror nënkuptohet edhe rivaliteti në garë. Edhe Danieli gëzon një formë të mirë dhe i uroj suksese. Ne të dy do të luftojmë për një qëllim, të dalim sa më mirë dhe të ngremë lart flamurin shqiptar. Kjo është më e rëndësishmja. Ndërkohë e ritheksoj se nuk do të doja të vë bast sesi do të dal, pasi asnjëherë nuk i dihet si mund të shkojë gara. Prandaj quhet garë sportive, sepse ka edhe të papritura. E rëndësishme është që Kombëtarja shqiptare gëzon një formë të mirë, por siç e përmenda më lart mund të dalin edhe të papritura. Unë shpresoj që të gjithë të japin maksimumin, që të marrim sa më shumë pikë olimpike”, deklaroi Qerimaj për gazetën. I pyetur se ku e ndien veten më të sigurt në pedant, 26-vjeçari shtoi: “Në shtytje kam qenë më mirë, është stili im i preferuar”, përfundoi Qerimaj, i cili në dygarësh ka deklaruar 355 kg. Në 11-shen e baterisë A, Daniel Godelli ka deklaruar më shumë nga të gjithë, plot 372 kg.
OLGERT SERANI

SOT NË GARË
Pesha 85 kg (C), ora 11:00
Krenar Shoraj
Pesha 77 kg (A), ora 14:00
Daniel Godelli
Erkand Qerimaj
Pesha 85 kg (B), ora 16:00
Hysen Pulaku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"