BOKS/ Talenti vlonjat nuk ndalet, Arjol Zeneli siguron medalje në Europianin e të rinjve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2022 | 14:35

BOKS/ Talenti vlonjat nuk ndalet, Arjol Zeneli siguron medalje në Europianin e të rinjve

Pas medaljes në Europian të të rinjve një vit më parë, boksieri Arjol Zeneli ka shënuar një tjetër arritje fantastike. Vlonjati është sërish pjesë e zonës së medaljeve, këtë herë në Kampionatin Europian për të rinj që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.

4605c30cfb2c4662bdb1a5ac922f0cce

Zeneli ka regjistruar triumfin e dytë në këtë kompeticion, teksa dje ka shpartalluar 5-0 sllovakun Lukas Vymyslicky, sukses që e kalon talentin kuqezi në gjysmëfinalet e peshave 51 kg.

Kujtojmë se në duelin e parë, Zeneli mposhti 5-0 kampionin në fuqi të Europës, spanjollin Rafael Lozano Serrano. Arjol Zeneli mbërrin në zonën e podiumit, ndërsa konfirmon suksesin e “dinastisë” Zeneli në boks.

Pas triumfit të djeshëm, në një prononcim për “Panorama Sport”, Arjol Zeneli thotë së të dyja ndeshjet ishin të vështira. Por falë punës me trajnerin e njohur Gëzim Zeneli arriti të dilte me sukses.

“Ndeshja e parë ishte kundër boksierit spanjoll që ishte edhe kampion Europe vitin e kaluar. Ishte një ndeshje e vështirë. Ai ishte një lojtar i fortë, por me punën e përkushtuar, stërvitje të palodhur së bashku me trajnerin tim dhe me synime të qarta për vetveten ia dola të fitoj dhe për këtë jam shumë i kënaqur.

Ndeshja e dytë kundër boksierit sllovak, gjithashtu dhe kjo ishte një ndeshje e fortë, por përsëri ia dolëm të fitojmë. Jam i emocionuar sepse arrita në zonën e medaljes”, shprehet Zeneli.

Arjol Zeneli tashmë në gjysmëfinale do të ndeshet me moldavin Ilic Ilie Argatu. Ai e thotë hapur se synon medaljen e arit dhe se do të ndjekë rrugën e dy vëllezërve të tij.

“Në gjysmëfinale do të ndeshem me boksierin moldav Ilic Ilie Argatu.

Me ndihmën e Zotit shpresojmë të fitojmë dhe të kalojmë për medalje ari. Rruga që po ndjek unë është rruga e vëllezërve të mi, Krenar Zeneli dhe Rexhildo Zeneli”, përfundon boksieri i talentuar vlonjat.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"