Blerje e goditur e Kukësit, Gega në duar një “xhol” për sulmin e verilindorëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Tetor 22, 2020 | 16:48


Blerje e goditur e Kukësit, Gega në duar një “xhol” për sulmin e verilindorëve

Kukësi bëri dy goditje të mëdha në limitin e merkatos, teksa firmosi me sulmuesin Agim Ibraimi dhe mesfushorin Gjelbrim Taipi. Duke parë edhe karrierën, afrimi më i bujshëm te verilindorët është pa dyshim 32- vjeçari Ibraimi. Bashkë me Taipin ai është bërë pjesë e integrale e Kukësit dhe trajneri Gega i ka në dispozicion të plotë. Duke qenë se bojkoti i kampionatit vazhdoi, qëllimi i stafit teknik është që të dy këta lojtarë të kapin formën optimale dhe të përshtaten sa më mirë me skuadrën. Në miqësoret e fundit dhe testet e kontrollit brenda familjes, Gega e ka provuar në disa role Ibraimin, duke nisur që nga sulmues i krahut të djathtë, pas sulmuesit, por dhe si pykë.
ibraimi
Duke parë karakteristikat e lojtarëve që ka në dispozicion, trajneri i Kukësit mendon se mund ta provojë Ibraimin edhe si qendërsulmues. Madje, nëse kreu i pankinës vendos për të luajtur me skemën 4-4-2, shqiptari nga Maqedonia do të ketë si partner në sulm nigerianin Eze. Duke parë që në qendër të mesfushës luajnë dy futbollistë si Vesel Limaj dhe braziliani Matheus Leiria, me këtë të fundit që ka më tepër tipare sulmuese, nuk është çudi që Ibraimi të zhvendoset në qendër të sulmit dhe kjo të provohet duke filluar që nga java e parë e kampionatit. Duke ditur kualitetin e këtij lojtari, stafi teknik ka një “as nën mëngë” për ta infiltruar në dy apo tre role të ndryshme në fazën ofensive. Ndërsa Taipi është provuar të luajë në rolin e tij bazë në mesfushë, duke formuar dyshen me Limajn para mbrojtjes. Trajneri Gega e njeh mjaft mirë lojtarin nga Presheva, pasi e ka grumbulluar në kohën kur drejtonte Kombëtaren U-21 dhe padyshim që dha direkt “OK”-in për afrimin e lojtarit që ka bërë karrierë me disa klube në Zvicër.

SITUATA
Kukësi është një nga skuadrat që ka bërë më shumë lëvizje në merkato, duke afruar 16 lojtarë dhe larguar 14 të tillë. Ashtu siç ka thënë edhe vetë trajneri Gega, blerjet duan kohën e duhur për t’u përshtatur me grupin, për më tepër që Kukësi është ndërtuar thuajse nga e para, sepse nga titullarët e vjetshëm kanë mbetur vetëm Xhika, Lulaj dhe kapiteni Limaj. Si për koincidencë, shtyrja javë pas jave e startit të kampionatit i ka ardhur përshtat Kukësit, teksa Gega ka punuar fort me skuadrën, në mënyrë që grupi të kapë sa më shpejt formën e duhur fizike. Ndryshimet nga ndeshja e fundit zyrtare në Europë me Volfsburgun janë drastike dhe nisja e shpejtë e kampionatit mund të kthehej në “bumerang” për verilindorët. Megjithatë, stafi ka pasur kohën e duhur për të provuar disa herë formacionin me lojtarët që ka.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com