Binden donatorët, japin garanci financiare për Korabin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2016 | 10:56

Binden donatorët, japin garanci financiare për Korabin

Selim Rusi dhe Naim Agolli nuk do të largohen nga Korabi. Donatorët kanë sjellë lajme të mira nga Amerika e largët për skuadrën dibrane. Ata kanë dhënë garanci financiare edhe për pjesën e mbetur të sezonit, pasi ekipi përmbushi me sukses kërkesat që ata vendosën para një muaji. Kur skuadra po dergjej në fundin e renditjes dhe me vetëm 5 pikë të grumbulluara, ata vendosën si kusht që të mbyllej 2016-ta me 10 pikë të plota.

Korabi stervitje

Nën drejtimin e Gerg Haxhiut, Korabi i kaloi pritshmëritë, duke marrë një pikë më tepër. Pasi panë që skuadra reflektoi dhe dha sinjale të forta për luftën e mbijetesës, sponsorët që jetojnë në SHBA kanë premtuar se skuadrës nuk do t’i mungojnë paratë. Pritet që me zyrtarizimin e buxhetit të ketë zhvillime konkrete edhe në merkato. Stafi teknik dhe drejtuesit do nisin të mendojnë seriozisht për hyrje-daljet, pasi të dinë se deri ku shkojnë limitet e tyre, në planin ekonomik.

Por donacionet do të vazhdojnë nëse ekipi do të ketë të njëjtin impenjim edhe për 18 ndeshjet e mbetura të këtij edicioni. E thënë ndryshe, topi tashmë ka kaluar në fushën e lojtarëve dhe stafit teknik, pasi në varësi të rezultateve, do të ketë edhe parà. Misioni nuk do të jetë i lehtë dhe sidomos kur dihet që gara në fundit i tabelës është bërë realisht e ashpër. Por, me pikët e marra në mbyllje të dy fazave të para, dibranët dëshmuan se kanë dëshirën, por edhe forcën për të mos u dorëzuar.

Rroga dhe shpërblime

Ekipi i Korabit ka marrë pushimet, ashtu si të gjitha ekipet e Superiores. Megjithatë, lojtarët janë ende të shqetësuar, pasi nuk janë likuiduar plotësisht, ata kanë ende rroga të pamarra dhe shpërblimet. Megjithatë, thuhet që vonesat po ndodhin për shkak të procedurave burokratike të transaksionit të parave nga Amerika. Në klub sigurojnë se do të shlyhen që të gjitha detyrimet dhe ata nuk do ta mbyllin vitin me borxhe.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"