Bicaj do vazhdimësi tek Teuta: Europa nuk na krijon presion, të shmangim gabimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2018 | 21:45

Bicaj do vazhdimësi tek Teuta: Europa nuk na krijon presion, të shmangim gabimet

Ditmar Bicaj pret vazhdimësi. Pasi kanë “blinduar” vendin e tretë, duket se te Teuta nuk kanë më në plan që ta lëshojnë. Europa mbetet synimi i vetëm dhe këtë e pohon edhe qendërmbrojtësi në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”. “Puna jonë është shpërblyer. Ekipi ka krijuar stabilitet dhe repartet janë më të lidhura me njëra-tjetrën. Edhe pse kemi dy muaj jashtë fushës sonë, nuk e njohim humbjen, dhe vazhdimësia të jep besim. Megjithatë, nuk është koha për vetëkënaqësi. Prej kësaj ecurie duhet vetëm që të motivohemi për të ruajtur ritmin. E kemi nisur edicionin, duke pretenduar Europën dhe të them të drejtën ky objektiv nuk po na krijon asnjë presion.

bicaj teuta

Ne marrim çdo gjë hap pas hapi dhe punojmë në qetësi, sepse vetëm kështu mund të shkojmë larg. Te skuadra ka ndryshuar mentaliteti dhe hyjmë në fushën e lojës vetëm për fitore, përballë çdo kundërshtari. Është një kampionat shumë i fortë dhe çdo gabim, sado i vogël, mund të ndikojë shumë në fund kur të bëhen llogaritë. I kemi të gjitha mundësitë për të ruajtur pozicionin, ecurinë dhe, pse jo, të tentojmë të ngjitemi akoma dhe më lart”, tha fillimisht lezhjani. Ai flet për ndryshimet e pësuara nga faza e parë tek e dyta dhe komenton eksperiencën personale në Durrës.

“Kemi korrigjuar shumë krahasuar nga faza e parë. Po e shijoj shumë eksperiencën këtu, pasi jemi një skuadër që dhurojmë futboll të bukur dhe ambicioz”, theksoi mbrojtësi. Në fund, ai ka folur edhe për Kombëtaren, ndërsa mendon që lojtarët e kampionatit shqiptar paragjykohen. “Çdo lojtar e dëshiron ftesën nga kombëtarja, këtë e them me shumë bindje. Mendoj që jo vetëm te Teuta, por edhe në ekipet e tjera ka elemente shumë cilësorë. Mendoj se këtu lojtarët paragjykohen, kur në të vërtetë kemi parë që skuadrat shqiptare kanë elementë që bëjnë diferencën. Nuk është e thënë të luash jashtë dhe të ftohesh. Nëse sheh kombëtare si Mali i Zi apo Bosnja, thithin elementë nga kampionati vendës, edhe pse nuk kanë ndonjë nivel”, përfundoi Bicaj.

Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"