Besa merr futbollistin e Kukësit, Bizhdilit i soset durimi me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 30, 2022 | 12:00

Besa merr futbollistin e Kukësit, Bizhdilit i soset durimi me…

Përforcohet Besa. Kavajasit kanë siguruar shërbimet e një tjetër lojtari, duke e çuar numrin e afrimeve në 9.

REDI VERIU

Bëhet fjalë për Redi Veriun, i cili vjen në huazim nga Kukësi. Sulmuesi është në pronësi të verilindorëve, megjithatë sezonin e fundit e mbylli te Turbina.

Duhet thënë që kanë “goditur”, pasi 22-vjeçari i ka të mira marrëdhëniet me golin. Në 13 ndeshje të luajtura me cërrikasit, e ka gjetur 6 herë rrjetën. Ai u shtohet kështu afrikanëve Frenklin Ntepe dhe Çinonso Onuh në ofensivë.

NGËRÇI – Ditët kalojnë, por Besa ende nuk është plotësuar. Burime pranë Nexhat Bizhdilit saktësojnë se “pengesë” po bëhet elita, ndonëse parimisht është rënë dakord.

Lojtarët që kanë në listë, nuk po marrin dot “viston” nga klubet e tyre dhe kjo ka vonuar gjithçka. Por nuk është vetëm ky shkaku, pasi edhe vetë ata janë të dyzuar për të lënë Superioren dhe kaluar në Kategorinë e Parë.

Kjo gjë që i ka sosur durimin presidentit. Për këtë motiv, numri një u ka vendosur një afat. E thënë troç, ai pret vetëm ata që duan të jenë pjesë e Besës.

E ndërsa këta futbollistë priten vetëm të hedhin firmën, dje ka ardhur në formë borxhi pikërisht Redi Veriu. Ai është vënë menjëherë nën urdhrat e Gugash Maganit.

Kujtojmë se Besa, duke dashur të afrojë në merkato vetëm futbollistë cilësore, ende nuk ka arritur të ketë formacionin e dëshiruar nga vetë trajneri.

MIQËSORET – Verdhezinjtë luajtën miqësoren e parë ndaj Erzenit, të cilën e humbën minimalisht. Më pas ata programuan një tjetër të tillë me Bylisin, që me sa duket, ka dështuar për mungesë terreni e koordinimi.

Por, mësohet se sot në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës, kavajasit do të zhvillojnë miqësoren e dytë. Përballë tyre do të “zbresë” Kastrioti.

Ashtu si në Shijak, edhe sot trajneri Gugash Magani do të “sitë” përsëri disa futbollistë dhe do të vendosë përfundimisht nëse ata do ta “kalojnë” klasën apo jo.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"