Besa do hakmarrjen ndaj Egnatias, Begeja: Kur mora vesh humbjen 5-1, e quajta…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2018 | 22:16

Besa do hakmarrjen ndaj Egnatias, Begeja: Kur mora vesh humbjen 5-1, e quajta…

Besa ka vijuar për gatitjet për takimin e radhës, atë në Rrogozhinë ndaj Egnatias. Në dispozicion të tij, trajneri ka të gjithë grupin. Si durrsak, ai e di se “derbi i madh” ka qenë gjithmonë Besa-Teuta dhe tashmë ka hyrë në termin “derbi i vogël” edhe ai mes Besës dhe Egnatias dhe kjo falë rritjes ndër vite të ekipit rrogozhinas. Që nga sezoni i kaluar, Egnatia ka njohur vetëm rritje e kjo e bën takimin më të vështirë e më të fortë. Të dyja skuadrat janë pretendente për vendin e parë që i dërgon në Superiore.

begeja besa

BEGEJA

“Sigurisht që nuk është më ajo Egnatia që Besa nuk e llogariste si kundërshtar vite më parë. Ashtu si Elbasani, Besa, Vllaznia, Dinamo dhe ekipe të tjera zbritën një kategori më poshtë, ashtu edhe skuadra të reja si Egnatia, Orikumi janë rritur ndjeshëm. Ky është futbolli. Në këtë kuptim e kam thënë që ditën e parë se në Grupin B nuk ka asnjë ekip të dobët.

Shikoni rezultatet e Besës, Bylisit, Lushnjës, Pogradecit dhe të tjerave për ta kuptuar këtë. Diferenca nga vendi i dytë tek i shtati është vetëm tri pikë. Kjo sa për meritë të rritjes së disa ekipeve, aq edhe paraqitjeve jo të pritshme të ekipeve që pretendojnë. E citova edhe më lart se Egnatia ka treguar ambicie në garë.

besa

Jo më kot ka grumbulluar 10 pikë, një më pak se ne. Vjet, kur drejtoja Teutën dhe mora vesh se Egnatia kishte fituar 5-1 në Kavajë, nuk e besova dhe e quajta lajm të rremë, por ja që ishte e vërtetë. E citova këtë fakt për të vijuar në bindjen time se nuk ka ekipe të dobëta dhe e pëson aty ku nuk ta pret mendja. Kuptohet se objektivi ynë është i qartë, rikthimi në Superiore. Në këtë kuptim, edhe në Rrogozhinë do të udhëtojmë me objektiv fitoren.

Nuk do të jetë e lehtë sepse në ndeshje të tilla nuk bën punë diferenca në grup, por shorti i garës dhe gabimet prej këtij tensioni”, deklaroi fillimisht trajneri Begeja. Më tej, tekniku i skuadrës kavajase vazhdoi duke thënë: “Si trajner kuptohet se unë pres dhe besoj te fitorja, por ndërkohë përvoja si futbollist dhe trajner aq sa kam drejtuar, më ka mësuar se në derbe janë të pranishme të tri rezultatet.

Mjafton ngarkesa psikologjike e fitores që të kalosh në ngërç psikologjik, duke i bërë gjërat e lehta të vështira. Gjatë javës kam punuar edhe në këtë aspekt, pasi lojtarët shumica janë të rinj dhe ju e patë se si ndaj Elbasanit, në momente të veçanta, lojtarët ranë në vetëkënaqësi dhe siguri, aq sa me gjithë rastet flagrante, shënuam vetëm një gol. Shpresoj dhe besoj se me qetësi, siguri dhe maturi, grupi i ka të gjitha mundësitë të dalë me një rezultat pozitiv në Rrogozhinë”, përfundoi prononcimin e tij trajneri i Besës, Gentjan Begeja.

Një sezon më parë, rrogozhinasit e turpëruan Besën duke e mundur me rezultatin 5-1 në sfidën e luajtur në Kavajë. Një rezultat që pakkush e besonte. Tashmë, verdhezinjtë janë një prej ekipeve pretendente dhe pritet një ndeshje e fortë dhe me shumë rivalitet. Edhe Egnatia nga ana tjetër është një ekip shumë cilësor dhe ka bërë afrime të konsiderueshme në verë me synimin për të pretenduar vendin e parë, i cili i dërgon në Superiore.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"