BASKETBOLL MESHKUJ/ Përcaktohen çiftet gjysmëfinaliste. Besëlidhja super në Kupë, Vllaznia eliminon Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2024 | 17:27

BASKETBOLL MESHKUJ/ Përcaktohen çiftet gjysmëfinaliste. Besëlidhja super në Kupë, Vllaznia eliminon Teutën

Kupa e Shqipërisë në basketboll për meshkuj ka zhvilluar mbrëmjen e djeshme ndeshjet çerekfinale, me takime interesante, ku nuk kanë munguar as rezultatet surprizë. Pasi e mbylli fazën e parë me pikë të plota në kampionat, Besëlidhja vijon sezonin perfekt edhe në Kupë, duke kaluar lehtësisht Partizanin në çerekfinale.

BASKET Tirana apolonia

Çast nga ndeshja Tirana-Apolonia Foto: F.Hazisllari

Teuta, mbajtësja në fuqi e këtij kompeticioni, është eliminuar nga Vllaznia, teksa ka humbur në Shkodër pas një takimi me shumë rivalitet, të vendosur në favor të vendësve me kohë shtesë. Fitore në shtëpi edhe për Tiranën e Kamzën, të cilat i prenë biletat e kualifikimit, duke mundur përkatësisht Apoloninë dhe Flamurtarin. Tashmë janë përcaktuar edhe çiftet gjysmëfinaliste, teksa do të kemi sfidat Besëlidhja-Vllaznia dhe Kamza-Tirana, takim që do të luhen në sallën “Feti Borova” në kryeqytet.

BESËLIDHJA-PARTIZANI – Lezhjanët e Afrim Bilalit e kanë nisur 2024-ën ashtu sikurse mbyllën vitin e kaluar, duke dhuruar një tjetër provë bindëse. Besëlidhja shkëlqeu në ndeshjen e mbrëmshme në “Asllan Rusi”, teksa mundi Partizanin me rezultatin treshifror 105-60 (22-12, 27- 9, 31-29, 25-10). Skuadra lezhjane ishte superiore në të katërta periodat, ndërsa i mbylli llogaritë që në pjesën e parë, duke shkuar në pushim me 28 pikë avantazh. Lojtari i ndeshjes ishte amerikani Marquardt, protagonist me 31 pikë për Besëlidhjen. Ndërkohë, te Partizani, skuadër që vinte në çerekfinale pasi kishte kaluar fazën paraeliminatore, më i miri ishte Brown. 23 pikë dhe 12 kërcime për amerikanin e “demave”.

VLLAZNIA-TEUTA – Përballja më e rivalizuar e çerekfinaleve ishte pa dyshim takimi i luajtur në Shkodër, ndërmjet Vllaznisë vendëse dhe Teutës. Kuqeblutë fituan me rezultatin 104-100 (23-27, 23-15, 17-24, 24-21, 17-13), ndeshje që u vendos pas kohës shtesë, pasi 40 minutat u mbyllën në barazim 87-87. Amerikani Saab udhëhoqi kuqeblutë me tripletë dyshifrore, teksa regjistroi 33 pikë, 11 kërcime dhe 10 asistime, mbështetur nga Tucker me 33 pikë dhe 9 kërcime. Për Teutën nuk mjaftuan as Bacon me 31 pikë e as Small me 27 pikë. Por duhet theksuar se durrsakët kanë shfaqur kontestime për arbitrimin, duke reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale. “Për t’u vënë re gjatë takimit është numri i disproporcionuar i goditjeve të lira (15 kundër 35 të kundërshtarit) dhe gabimeve personale (25 ndaj 17 të kundërshtarit), që tregon tendencën e përhershme të arbitrimit kundrejt ekipit tonë”, shkruajnë durrsakët në faqen e klubit, duke reklamuar gjykimin e takimit.

TIRANA-APOLONIA – Bardheblutë e Erkand Karajit i siguruan gjysmëfinalet duke mundur Apoloninë në sallën “Farie Hoti” me rezultatin 90- 78 (26-10, 21-26, 21-26, 22-16). Tirana e bëri diferencën që në periodën e parë, ndërsa fierakët provuan të reagonin në çerekun e dytë dhe të tretë. Megjithatë, kampionët e Shqipërisë i mbyllën përfundimisht llogaritë në periodën e katërt, duke hipotekuar kualifikimin. Paraqitje e shkëlqyer nga Endrit Hysenagolli, me gjigandin bardheblu që qëndroi në fushë 40 minuta, duke realizuar 24 pikë dhe 20 kërcime. Ndeshje mjaft të mirë bënë edhe Davis (29 pikë) edhe Lilaj (18). Për Apoloninë spikati Jones me 21 pikë dhe 11 kërcime.

KAMZA-FLAMURTARI – Sukses në shtëpi edhe për Kamzën, që likuidoi Flamurtarin në palestrën “Halit Coka” me rezultatin 77-65 (22-14, 19-20, 19-11, 17-20). Skuadra e Eni Llazanit e bëri diferencën kryesisht në periodën e parë dhe të tretë, për të vazhduar një sezon mëse pozitiv, duke llogaritur edhe paraqitjet e bëra në fazën e parë të kampionatit. Lojtari MVP i ndeshjes ishte amerikani Keyes, autor i 28 pikëve dhe 13 kërcimeve për Kamzën. Në radhët e vlonjatëve rendimentin më të lartë e kishte Mohr me 16 pikë e 6 kërcime.

bas

baaas

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"