Basketboll femra/ Nis Liga Unike, Partizani e Flamurtari “KO” në start

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2024 | 19:51

Basketboll femra/ Nis Liga Unike, Partizani e Flamurtari “KO” në start

Liga Unike e Femrave ka nisur dje edicionin e saj të tretë, teksa janë zhvilluar dy ndeshjet e para të këtij sezoni. Kompeticioni i përbashkët në basketboll mes Shqipërisë dhe Kosovës, ka startuar me ceremoninë e hapjes në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, për t’i lënë më pas vend takimit ndërmjet Partizanit, kampionit në fuqi të Ligës Unike dhe Prishtinës.

PARTIZANI PRSIHTINA BASKET FEMRA

Një përballje tepër interesante, e cila në fund u buzëqeshi vajzave prishtinase, të cilat triumfuan me rezultatin 63-65 (20-20, 21-16, 11-14, 11-15), duke përmbysur në minutën finale. Pas një periode të parë shumë të luftuar, të mbyllur në barazpeshë të plotë, Partizani u paraqit më mirë në çerekun e dytë, duke shkuar në pushim me avantazhin e 5 pikëve. Por me rikthimin në parket, të kuqet e trajneres Eliverta Bujari e ulën ndjeshëm rendimentin në sulm, ndërsa Prishtina nisi të fitojë terren. Megjithatë, sfida ishte e hapur deri në fund, ndërsa koshin deciziv e realizoi amerikania Johnson, e cila i dha suksesin me 2 pikë Prishtinës kur kishin mbetur edhe 9 sekonda nga sirena finale.

Ishte pikërisht Asianae Johnson, lojtarja më e mirë e takimit, teksa udhëhoqi miket me 31 pikë, 13 kërcime dhe 7 asistime. Për Partizanin, efikasitetin më të lartë e kishte Imela Malaj, autore e 16 pikëve dhe 7 kërcimeve. Ndërkohë paralel me këtë takim, në palestrën “Sezai Surroi” të Prizrenit u zhvillua edhe përballja ndërmjet Bashkimit dhe Flamurtarit. Edhe në këtë sfidë ishte skuadra nga Kosova që doli me triumf, madje në shifra të thella. Bashkimi u shfaq dominues ndaj vlonjateve, duke fituar 88-61 (25-12, 29-11, 17-16, 17-22).

Skuadra prizrenase e filloi vrullshëm ndeshjen, duke i mbyllur llogaritë që në pjesën e parë, teksa shkoi në pushim me 21 pikë avantazh. Me gjithë përpjekjet e Flamurtarit në gjysmën e dytë të takimit, vendëset e menaxhuan me qetësi lojën, duke futur në kasafortë suksesin e parë sezonal në Ligën Unike. Me 26 pikë, 12 kërcime dhe 7 asistime, amerikania Godbold e Bashkimit, ishte lojtarja më e mirë e ndeshjes. Për vlonjatet spikati Henderson me 13 pikë e 14 kërcime. Java e parë do të kompletohet sot me ndeshjen ndërmjet Tiranës dhe Penzës në orën 17:00 në “Farie Hoti”.

aaa

ARTIN LLESHAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"