Barcelona në krizë identiteti, kërkohet “koka” e Valverdes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2019 | 22:04

Barcelona në krizë identiteti, kërkohet “koka” e Valverdes

Figura e Ernesto Valverdes rikthehet edhe një herë në qendër të vëmendjes te Barcelona. Këtë herë për keq, sepse të gjithë mendojnë se ai ishte fajtori kryesor i humbjes që pësuan katalanasit në transfertën kundër Levantes.

ernestovalverde-cropped_zo47wcxn7kbm11istbe727rcq-1-770x433

“Milingona” e di se shumë njerëz po e presin largimin e tij, që pas eliminimit kundër Romës dhe një vit më pas kundër Liverpulit. Këto kanë qenë dy momentet kur largimi nga katalanasit është dukur më pranë se kurrë. Barcelona bëri mirë që i dha besim, sepse një trajner kërkon gjithmonë kohë, por herë pas here skuadra shfaqet e shthurur dhe e tjetërsuar në fushën e lojës.

Ndeshjet e shëmtuara kundër Atletikos së Bilbaos, Osasunës dhe Granadës, shtuar edhe prezencën në grupin e ferrit të Champions-it, u dhanë material kritikuesve të trajnerit. Siç e thotë vetë Valverde, në këto momente duhet të tregosh aftësi reaguese. Ekipi e ka bërë disa herë, por te Barcelona nuk e ke luksin që herë pas here të bësh ndeshje të shëmtuara si ajo ndaj Levantes. Në konferencën për shtyp tha se nuk po e mendon aspak dorëheqjen. Le t’i lëmë mënjanë rezultatet dhe të analizojmë situatën e skuadrës në disa momente të caktuara.

ZHBALANCIM SHQETËSUES – Tendenca e skuadrës për të ngritur duart dhe për t’u dorëzuar kur ndeshjet nuk janë mbyllur është shqetësuese. Lojtarët e humbasin toruan kur rivalët shënojnë disa gola dhe nuk kanë forcë për të reaguar. Pjesa e dytë kundër Levantes e shpjegon këtë.

PROBLEME NË MBROJTJE – Mbrojtja katalanase ishte shndërruar në një pikë të fortë në ndeshjet e fundit, por kundër Levantes shfaqën shumë probleme. Ndeshja e Pikesë ishte për t’u harruar, gabimet e të cilit ishin të dukshme.

MBROJTËS I MAJTË – Është e pashpjegueshme se si Ernesto Valverde preferon të konvertojë Semedon në mbrojtës të majtë dhe të mos i besojë Xhunior Firpos. Transferuan ish-in e Betisit se është ekspert në këtë pozicion, por është llogaritur shumë pak nga trajneri.

MUNGON FUTBOLLI – Një problem që herë pas here shfaqet në skuadrën katalanase. Barcelona nuk luan më si më përpara dhe kjo varet nga lojtarët që ka në mesfushë. Ata nuk janë të formacionit ideal. Arturo Vidal është një lojtar i shkëlqyer, por kur Buskets është në stol, Barcelona nuk funksionon.

GRIZMAN – Ish-lojtari i Atletikos është një lojtar fantastik, por ende nuk është përshtatur në sistemin e Barcelonës. Nuk duhet të jesh ndonjë njohës i mirë i futbollit për ta kuptuar këtë. Antuan lufton më shumë për të rrëmbyer topat sesa për t’i shtyrë në portë.

DËMTIMET – Këtë sezon dëmtimet e shumta po i shkaktojnë shumë probleme Barcelonës. Ka shumë raste kronike, të cilat duken të vështira për t’u rregulluar. Rasti më flagrant është ai i Umtitit, por edhe Luis Suarez është shndërruar një klient i përhershëm në infermieri.

DEMBELE – Francezi vazhdon të mos përfitojë nga shanset që i jepen. Ai duket më i përfshirë sesa sezonet e mëparshme, por jo në nivelin e kërkuar. Dembele u transferua për të zëvendësuar Nejmarin, por Barcelona mori Grizmanin për të zëvendësuar Dembelenë.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"