Balaj hero në Çeki, i jep fitoren Slavias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2014 | 12:33

Balaj hero në Çeki, i jep fitoren Slavias

BalajBekim Balaj e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e tij te Slavia e Pragës. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare luajti si titullar në ndeshjen e parë të kampionatit me këtë skuadër, në transfertë ndaj Slovackos, duke rezultuar deciziv. Ai shënoi golin e përmbysjes për ekipin e tij, duke i dhënë edhe tri pikët e para për këtë sezon. Ishte minuta e 76-të e takimit, kur një gjuajtje e Pitak nuk u prit si duhet nga portieri vendës dhe aty afër Balaj, si një “snajper” i vërtetë dhe nuhatës goli, shfrytëzon më së miri momentin duke gjuajtur me topin që kalon poshtë trupit të gardianit të Slovackos. 2-1 për skuadrën nga kryeqyteti, ku natyrisht heroi është pikërisht sulmuesi shqiptar. Para golit të Balajt, vendësit patën kaluar në avantazh me anë të Travnik në minutën e 33-të të takimit. Por në pjesën e dytë, loja e Slavias u rrit ndjeshëm dhe në minutën e 73-të ishte Milan Skoda që barazoi shifrat. Sakaq, Balaj mori edhe një karton të verdhë në fund të takimit për një ndërhyrje të gabuar ndaj një lojtari kundërshtar. Ky ishte goli i katërt i Balës në kampionatin çek, pas tri rrjetave të shënuara në 2012-2014, kur luante me Spartën e Pragës. Kjo e fundit e shiti kartonin e shkodranit para disa javësh te konkurrentët e Slavias, por, sipas marrëveshjes mes dy klubeve, shkodrani nuk do ketë mundësi të aktivizohet në derbin e kryeqytetit, pra kundër ish-skuadrës së tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"