Interi mban në listë zbulimin e Anglisë, ka gati edhe tre alternativa
Interi vazhdon të punojë për përforcimin e krahut të djathtë, ndërsa emri i Xhed Spens mbetet një nga objektivat kryesorë të merkatos. Megjithatë, drejtuesit zikaltër po bëjnë llogaritë me kujdes, pasi Totenhem e vlerëson mbrojtësin anglez rreth 35 milionë euro.

Shifra është e njëjtë me atë që Çelsi kërkonte për Trevoh Çalobah, një operacion nga i cili Interi hoqi dorë, duke e konsideruar çmimin shumë të lartë. Tashmë mbetet për t’u parë nëse fondi “Oaktree” do të japë dritën jeshile për një investim të tillë, duke qenë se Spens, për moshën dhe potencialin e tij, përputhet me profilin e lojtarëve që preferon pronësia amerikane.
Nga ana tjetër, Interi ka marrë sinjale pozitive nga vetë futbollisti. Spens është i gatshëm të rikthehet në Itali, pas eksperiencës së shkurtër me Xhenoan në vitin 2024, dhe e sheh me interes mundësinë për të qenë titullar te kampionët e Italisë.Nëse tratativat për anglezin nuk konkretizohen, zikaltërit kanë përgatitur edhe alternativa të tjera.
Në listë mbeten Givairo Read i Fejenordit, Vanderson i Monakos dhe Belghali i Veronës, profile që konsiderohen më të arritshme ekonomikisht. Ndërkohë, mbrojtësi i Strasburgut, Guela Doue, vazhdon të ketë një vlerësim prej 35-40 milionë eurosh, çka e bën një objektiv po aq të kushtueshëm sa Spens.
PANORAMASPORT.AL













