Asnjë humbje në kampionat, Nica tregon “përrallën” e Devollit: Gati të vazhdoj aventurën e “çmendur”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2019 | 12:08

Asnjë humbje në kampionat, Nica tregon “përrallën” e Devollit: Gati të vazhdoj aventurën e “çmendur”

BESAR BOZGO

“Do vish te Devolli, na duhet ndihma jote ta ngjisim ekipin në Kategorinë e Parë?” Stavri Nica mori një telefonatë jo të zakonshme në janar të këtij viti. Shumë kilometra larg shtëpisë dhe familjes, trajneri pranoi sfidën që të rikthej në vendin e origjinës.

Devolli kampion

Tekniku jo si të tjerët, vendosi të drejtonte Devollin, ndërsa objektivi ishte i qartë, rikthimi në elitë. Të dielën në mbrëmje, Nica e teproi disi me alkoolin, por kjo ishte e lejueshme. Devolli siguroi rikthimin në Kategorinë e Parë, ndërsa skuadra nuk pësoi asnjë humbje gjatë të gjithë kampionatit.

Devikku

NICA

“Ishte një sfidë që e pranova me kënaqësi. Kemi bërë një kampionat shumë të mirë dhe ja ku u shpërblyem në fund duke siguruar ngjitjen në Kategorinë e Parë. Sigurisht, fakti që nuk pësuam asnjë humbje është një arritje historike. Ngjitja një kategori më lart ishte objektivi kryesor, por me kalimin e ndeshjeve e pamë që mund ta mbyllnim të gjithë sezonin pa humbje. Kam gjetur një ambient perfekt me lojtarë që japin shpirtin në fushë, por mbi të gjitha ka shumë harmoni.

Nica

Disa prej futbollistëve, përveçse luajnë, bëjnë edhe punë të tjera. Nuk janë si lojtarë të Superiores që pinë kafe dhe e quajnë veten profesionistë. Financat janë të sigurta dhe kemi kaluar gjithçka në mënyrën e duhur. Edhe në ndeshjen e fundit ndaj Tepelenës, çdo gjë ishte organizuar në mënyrë perfekte nga drejtuesit. Një atmosferë shumë e këndshme dhe festive e organizuar në mënyrë perfekte.

Kemi festuar gjatë, pasi gjithçka ishte e lejueshme. Tashmë, na mbetet edhe një ndeshje tjetër, finalja me Tërbunin ku do të kërkojmë ta fitojmë”, u shpreh fillimisht Nica në rrëfimin e tij për gazetën. I pyetur për lojtarin që veçon, tekniku përgjigjet shkurt:

Devolli56

“Kleidi Rrapo është sulmues krahu. Ka bërë një paraqitje shumë të mirë duke qenë deçiziv në shumë takime. Megjithatë, dua të falënderoj të gjithë grupin për gjithçka kanë dhënë në fushë”.

E ARDHMJA

Në lidhje me të ardhmen dhe pjesëmarrjen në Kategorinë e Parë, trajneri i Devollit tregon: “Sigurisht, kampionati i Kategorisë së Parë ka një tjetër vështirësi. Për momentin, nuk ka folur ende me drejtuesit. Fillimisht, do ” të luajmë finalen me Tërbunin dhe më pas do të vendosim. Dëshira është që të vazhdoj dhe të kontribuoj për këtë skuadër.

Grupi aktual ka cilësi dhe është shumë kompakt. Janë futbollistë që luajnë prej vitesh me njëri-tjetrin dhe ky ishte edhe një avantazh që realizuam objektivin duke e mbyllur garën pa humbje. Është një grup i mirë lojtarësh dhe besoj se me pak përforcime mund të bëhet një ekip që do t’i japë bukuri kampionatit të ardhshëm të Kategorisë së Parë.

Devolli66

Edhe infrastruktura është OK. Besoj se edhe në kampionatin e ri do të shihni një Devoll që do të argëtojë të gjithë tifozët dhe ndjekësit e kampionatit”, përfundoi prononcimin e tij për “Panorama Sport”, trajneri i Devollit, Stavri Nica.

BESAR BOZGO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"