Apolonia, Zoga: Kreu po na shijon dhe po na motivon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2020 | 23:55

Apolonia, Zoga: Kreu po na shijon dhe po na motivon

Grupi B i Kategorisë së Parë mbetet në qendër të vëmendjes sportive, jo vetëm për rivalitetin e kreut, por edhe për ballafaqimet e kësaj jave, ku spikasin përballje të ashpra në të dy kahet e renditjes. Më e ndezur është lufta për vendin e parë, ku ndeshen mes tyre 4 skuadrat kryesuese, Besa-Apolonia dhe Pogradeci-Lushnja. 

Apolonia Elbasani

Fierakët kryesues do të luajnë me të gjitha forcat për të ruajtur pozitat ndaj një kundërshtari të fortë si Besa që ka bërë përforcime gjatë merkatos dimërore. Është sfumuar fusha e Pezë-Helmësit dhe është vendosur që ndeshja të luhet në “Roza Haxhiu” të Lushnjës. Afërsia gjeografike krijon mundësi që tifozëritë e të dyja skuadrave ta ndjekin nga afër këtë sfidë, çka shton emocionet e këtij ballafaqimi. Pak të favorizuar bardhejeshilët, pasi luhet në fushë asnjanëse, megjithatë ata e kanë vlerësuar si të luhej në Kavajë. Apolonia nuk ndikohet nga problematika e kavajasve, por mendon vetëm për 90 minutat e lojës, ku do të kërkojë fitoren.

ZOGA – Është një talent, të cilin fierakët “e rrëmbyen” para 2 vjetësh nga Tomori. Krisild Zoga, 19 vjeç, pasi dha kontributin e tij që Apolonia U-19 të ngjitej në Superligë, këtë sezon është pjesë e formacionit tek ekipi i parë. Zoga, lojtar me tipare ofensive, ka luajtur pjesën dërrmuese të ndeshjeve si mbrojtës i majtë, duke dëshmuar cilësi edhe jashtë profilit të tij. Ai është konkret në atë që shpreh për gazetën. “Për kampionatin që kemi bërë gjer tani, janë të gjithë dëshmitarë. Ka qenë i vështirë dhe kemi përballuar një garë shumë të fortë. Vendi i parë, i arritur me aq mundim, na shijon edhe më tepër, si dhe na motivon për ta ruajtur deri në fund. Nuk është vetëm Besa, por 3 ndeshje të kësaj faze dhe 6 të pjesës së fundit që i shohim si 9 finale dhe secila kërkon maksimumin në fushë. Që të arrijmë synimin madhor, duhet të fitojmë çdo ndeshje, por le t’i marrim me radhë. T’ia nisim nga transferta me Besën, të fitojmë 3 pikë ndaj këtij kundërshtari shumë të fortë dhe të shohim përpara. I kemi të gjitha forcat për të dalë fitues”, tha për “Panorama Sport” Zoga i Apolonisë.

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"