Apolonia përforcohet në repartin e mbrojtjes, fierakët afrojnë 2 futbollistë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2020 | 12:21

Apolonia përforcohet në repartin e mbrojtjes, fierakët afrojnë 2 futbollistë

Qendërmbrojtësi malazez, Drago Bumbar, është goditja e dytë e Apolonisë gjatë merkatos së kësaj vere. Mes klubit fierak dhe 22-vjeçarit malazez ka përfunduar gjithçka, është arritur akordi dhe është firmosur kontrata pasditen e së hënës. Qendërmbrojtësi malazez ka lindur më 10 nëntor 1997 në Kotor, ka një shtatlartësi prej 1.95 m dhe në dy sezonet e fundit ka qenë titullar i skuadrës Sindelic të Beogradit. Kësisoj, pas Ndraxhit, Bumbar është i dyti përforcim i Apolonisë gjatë kësaj periudhe, por këto dy ditë pritet që në Fier të mbërrijë edhe një mbrojtës i majtë.

Bumbar

Ai është afrikani Keita Modibo, nga kryeqyteti i Malit, Bamako, 20 vjeç. Ky lojtar është aktivizuar në kampionatin rumun sezonin e fundit dhe është sugjeruar nga përgatitësi atletik Daniele Nervi. Keita do të vijë në formë huazimi tek Apolonia, me mundësi të blerjes së kartonit në janar. Veç Modibos, po gjatë këtyre dy ditëve në Fier pritet dhe një sulmues i huaj cilësor, por që nga klubi nuk duan të japin detaje më të plota, edhe pse deklarohet se 99% ky futbollist do të firmosë për Apoloninë. Sa u përket dy portierëve të rinj, Roni Emini nga Kosova dhe Anxhelo Ibrahimi nga Elbasani, që u testuan të shtunën në miqësoren me U-19, stafi teknik i Apolonisë ka marrë vendimin që t’i lërë të lirë.

VIDEOANALIST ITALIAN – Siç është njoftuar më parë nga “Panorama Sport”, Apolonia ka qenë në kërkim të një videoanalizuesi. Së pari, kjo detyrë iu besua Edmond Kodrës, por më pas kavajasi u largua nga stafi fierak. Pas Kodrës, për videoanalist, klubi kontaktoi me Stefan Careviç, ish-zëvendëstrajner i Apolonisë kur ekipi drejtohej nga Rade Miliç, por nuk u arrit marrëveshja, për arsye oferte. Por, çështja duket se shkon drejt finalizimit dhe pritet që videoanalizuesi i ri të vijë sërish nga Italia, një specialist që ka punuar edhe më parë me stafin e trajnerit Xhovani Kolela, në ekipe të ndryshme të kampionatit italian. Nëse diçka e tillë do të konkretizohej, atëherë numri i italianëve në stafin teknik të Apolonisë do të shkonte në tre.

lACI aPOLONIA

MIQËSORET – Të mërkurën, fierakët do të zhvillojnë ndeshjen e gjashtë miqësore gjatë kësaj vere. Apolonia do të udhëtojë drejt Vlorës për t’u ndeshur me Flamurtarin, skuadër e saporënë në Kategorinë e Parë. Ndërkohë, duket se qëndrimi i Ligës Profesioniste gjer në plotësimin e 4 kërkesave nga qeveria do ta shtyjë fillimin e Kategorisë Superiore përtej 12 shtatorit dhe fierakët kanë menduar që të shtunën e 12 shtatorit të zhvillojnë një tjetër test miqësor, këtë herë në “Loni Papuçiu”, kundër kampionëve bardheblu të Tiranës, dy ndeshje në të cilat trajneri italian Xhovani Kolela ka mundësi për ta njohur më të plotë forcën dhe problematikën e skuadrës së tij.

BUJAR RAMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"