“Apolonia mbijeton, ja ekipet pretendente për titull”, Mërgjyshi: Partizani ka bosht për të arritur Europën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2020 | 12:02

“Apolonia mbijeton, ja ekipet pretendente për titull”, Mërgjyshi: Partizani ka bosht për të arritur Europën

Artan Mërgjyshi “skanon” Apoloninë. I quan të duhura blerjet e bëra rishtas në Ganë, ndërsa hapur e thotë që me organikën që kanë nuk duhet ta diskutojnë mbijetesën. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-trajneri i fierakëve flet edhe për bojkotin dhe pasojat që ka sjellë mungesa e futbollit. Nuk kishte si të mos fliste për garën e titullit, ndërsa vlerëson Laçin si pretendent.
mERGJYSHI
U bë gati 1 muaj e gjysmë bojkot. Çfarë ndikimi do të ketë kjo pauzë në futboll?
Ka ndikuar negativisht në aspektin fizik e psikologjik, qoftë edhe stresi i krijuar te të gjithë faktorët. U bë një kohë e gjatë pa futboll dhe pa një datë fikse shkakton kaos te lojtarët, trajnerët dhe skuadrat. Është padurim për të filluar, sepse të gjithë duan të shohin çfarë kanë bërë dhe çfarë rezultatesh mund të marrin në saje të përgatitjeve që kanë kryer. Ngjeshja pastaj do të bëjë të vetën, pasi një densitet i tillë është me risk për dëmtime të mundshme të lojtarëve kryesorë dhe dihet që futbollistët e stolit kanë diferenca me titullarët.
lIGA PROFESIONISTE
Si i vlerësoni kërkesat e Ligës Profesioniste?
Kërkesat pa diskutim që janë të drejta dhe mendoj që kanë bërë mirë, duke marrë parasysh edhe kostot që do t’i vuajnë në kurriz. Ndoshta kjo ishte mënyra e vetme për të ndërgjegjësuar qeverinë dhe hyrë në rrugën e bisedimeve.

Duke gjykuar merkaton verore, cilat skuadra shihni si pretendente për këtë sezon?
Do të thosha fjalët më të mira për merkaton e Laçit. Përveçse ka ruajtur grupin, kanë blerë lojtarë me eksperiencë dhe dubluar rolet. Edhe pse nuk shpallin pretendimet, e kanë të gjithë stofin për të luftuar për titullin. Po ashtu, Teutën e shoh me ambicie. Tiranën e kam ndjekur në miqësore. Ka cilësinë dhe stolin, por nuk po gjen dot ingranazhet dhe mekanizmin e duhur. Duhen konfirmuar lojtarët e ardhur nga Afrika, të cilët kanë nevojë për kohën e vet të përshtatjes me grupin dhe mentalitetin e Tiranës.
Partizani-Kukesi
Përjashtoni Kukësin dhe Partizanin nga kjo garë?
Kukësin nuk mund ta përjashtoj, sepse gjithmonë është aty. Ka bërë shumë ndryshime, por, duke njohur ambiciet e presidentit dhe të ambientit atje, gjithmonë do të përpiqen për të qenë pretendentë, por i shoh pak më të tkurrur se vitet e tjera. Partizani mbetet për t’u konfirmuar. Mungesa e merkatos e penalizon deri diku, por edhe Partizani e ka një bosht të mirë për të luajtur për zonën “Euro”, jo më shumë. Për titull, e theksoj, vlerësoj Laçin, Teutën dhe Tiranën.
apolonia
Si ish-trajner i Apolonisë, e shihni të kompletuar skuadrën me merkaton e bërë?
Sipas informacioneve që kam, afrikanët janë lojtarë relativisht të mirë. Për ganezët hymë në tratativa qyshkur isha unë trajner, por pandemia na pengoi. Besoj që është bërë goditje e mirë me ta, pasi shtojnë cilësi, përvojë dhe alternativa. Gjithashtu, mendoj se ka ndikuar në përforcim edhe rikthimi i Ejoh apo edhe Haxhiut, që janë një vlerë e shtuar. Ndaj, them se Apolonia ka një organikë të mjaftueshme për të bërë mirë në këtë sezon.

Si e parashikoni elitën për Apoloninë?
Duhet qenë të kujdesshëm dhe objektivë. Mendoj se Apolonia nuk duhet ta diskutojë mbijetesën. Pastaj u mbetet lojtarëve dhe stafit që të menaxhojnë situatat, megjithatë organika është e mjaftueshme jo vetëm për të siguruar elitën, por edhe për të qenë në pesëshen e parë.
BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"