Ançeloti: Vinicius nuk njeh limite, fitojmë në Valencia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 2, 2024 | 10:01

Ançeloti: Vinicius nuk njeh limite, fitojmë në Valencia

Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp para takimit në Valencia. Trajneri ka konfirmuar praninë e Bellingamit në “Mestalla” pasi “ai është 100%”. Por Ançeloti natyrisht që ka komentuar dhe incidentet e sezonit të kaluar mes tifozerisë së Valencias dhe Viniciusit që shkaktuan polemika dhe me shumë gjasa e kanë nxehur dhe këtë prag ndeshje.

anceloti vinicius

VALENCIA – “Sa më shumë afron fundi i sezonit, aq më të rëndësishme bëhen takimet. Transferta e Valencias është një nga më delikatet për Realin. Gjithmonë ka qenë e vështirë për ne në ‘Mestalla’. Duhet të bëjmë paraqitjen tonë më të mirë nëse duam të bëjmë rezultat”.

BELLINGAM – “Ai është njëqind për qind. Është e vërtetë që nuk është stërvitur shumë me ekipin, por është në maksimumin e tij, nuk ka probleme me kyçin e këmbës dhe do të luajë”.

VINICIUS – “Ideja është të shkojmë të luajmë një ndeshje të madhe futbolli, sepse ajo që duan tifozët është të shohin spektakël. Nuk duhet të harrojmë atë që ndodhi vitin e kaluar. Mendoj se vetë Valencia bëri mirë që i identifikoi tifozët problematikë, duke marrë masa, sepse racizmi është krim. Ne po shkojmë në një qytet që tani ka përjetuar një tragjedi dhe duam të luajmë lojën më të mirë të mundshme dhe mendoj se Valencia mendon të njëjtën gjë”.

ECURIA E BRAZILIANIT – “Mendoj se që kur ka ardhur te Reali kam parë një ecuri në përmirësim e sipër. Me cilësinë që ka është i aftë për të shënuar më shumë gola e dhënë më shumë asiste. Mendoj se është një lojtar që nuk ka limite”.

DËMTIMET – “Ajo që kemi bërë deri më tani me kaq shumë probleme me mungesat është diçka e rëndësishme. Skuadra ka sakrifikuar nuk është dorëzuar. Tani mendoj se e mira dhe më e rëndësishmja po vjen. E shohim afër rikthimin e Militaos dhe Kurtuasë”.

MESAZHI PËR TIFOZËT – “Uroj të shijojnë një ndeshje të mrekullueshme, por në fund të dalin të trishtuar, sepse fiton Reali”.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"