Analiza e javës së 24-t/ Elbasani parakalon Bylisin dhe kryeson i vetëm, largohen dy trajnerë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2024 | 20:55

Analiza e javës së 24-t/ Elbasani parakalon Bylisin dhe kryeson i vetëm, largohen dy trajnerë

Java e 24-t e Kategorisë së parë është shoqëruar me surpriza, rokada në renditje dhe tronditje pankinash. Në përfundim të kësaj jave Kategoria e Parë ka lider të ri, ku pas humbjes së Bylisit me Luzin dhe fitores së thellë të elbasanasve me Besën, skuadra e trajnerit Nevil Dede kryeson e vetme me 56 pikë, një më shumë se ballshiotët.

elbasani

Ngjitje në renditje ka pësuar edhe Burreli, që fundjavën e shkuar ka mposhtur Vorën. Klodian Arbëri dhe Fidaim Haxhiu janë dy trajnerët që humbën vendin e punës në përfundim të javës së 24-t. Arbëri nuk e ka “honepsur:” dështimin e vorakëve në Burrel dhe ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme, që në fund është pranuar edhe nga drejtuesit e klubit. Drejtimi i Vorës deri në fund të sezonit i është besuar ndihmësit të trajnerit Arbëri, pikërisht Endri Zjarrit. Besa u mund me rezultat të thellë si pritëse nga Elbasani, në shifrat 5-0, dhe të ndikuar nga situata drejtuesit kavajas vendosën që të spostojnë trajnerin Fidaim Haxhiun në rolin që ka pasur si zv.trajner dhe besimin e ekipit ia kanë besuar ish-sulmuesit Dorjan Bubeqi.

Me këtë fitore zbavitëse Elbasani tani është lideri i Kategorisë së Parë. Luzi 2008, edhe pse e priti Bylisin në fushën asnjanëse të Vorës për shkak të pezullimit të fushës nga Disiplina, ka dhuruar spektakël ndaj Bylisit. Ballshiotët u treguan të pafuqishëm ndaj skuadrës së parafundit në renditje, ku padyshim merita i takon luznjakëve që i dhanë një leksion të mirë ballshiotëve  duke u shkaktuar humbjen e tretë sezonale. Me këtë trepikësh dhe paraqitje Luzi shikon dritë në fund të tunelit duke shpresuar te mbijetesa. Ky takim u shoqërua edhe me tension në pushim të ndeshjes, ku nuk munguan edhe kontaktet fizike. Derbi i Myzeqesë u mbyll pa fitues, në shifrat 1-1, ku fierakët i shënuan të dy golat e ndeshjes.

Por Portieri Romeo Harizaj ishte heroi i Apolonisë, pasi në minutën e pestë shtesë i mohoi golin mesfushorit të Lushnjës, Matjë Lëru, që gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Pas fitores në Vlorë, Burreli ka bërë detyrën edhe në shtëpi duke mundur Vorën në shifrat 2-1 dhe duke u ngjitur në vendin e shtatë me 28 pikë. Flamurtari ka reaguar menjëherë dhe brenda një jave ka bërë autokritikën e humbjes në shtëpi me Burrelin duke marrë një fitore të pastër, 2-0, në transfertë ndaj Kastriotit. Goleadaori i krutanëve, Dejvid Kapllani, humbi penalltinë në pjesën e dytë duke i mohuar Kastriotin barazimin e mundshëm. Me këtë disfatë Kastrioti mbetet sërish në zonën e rrezikut.

Korabi po i bën rrugë fitoret me përmbysje, ku pas Lushnjës të shtunën e ka pasur radhën Tomori, që ndonëse fitoi pjesën e parë, nuk ka rezistuar dot duke u mundur në shifrat 2-1. Dibranët kanë arritur Apolonoinë në renditje në kuotën e 35 pikëve, por fierakët janë të pestët falë golavarazhit më të mirë. Tomori vijon të mbetet i fundit dhe çdo javë që kalon i shuan edhe më tepër shpresat e mbijetesës në Kategorinë e Parë.

formac

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"