Aleksi: E keqja kaloi, ndaj Skënderbeut të kthehemi te fitorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2019 | 23:16

Aleksi: E keqja kaloi, ndaj Skënderbeut të kthehemi te fitorja

Teuta kërkon të rikthehet te fitorja në kampionat, ku kundërshtar të radhës ka Skënderbeun, takim të cilin durrsakët do ta luajnë në shtëpi.

aleksi teuta

Në kushte të tilla, mesfushori kryesor i “djemve të detit”, Albano Aleksi, beson që ekipi do të rikthehet me një motiv shtesë në përballjen ndaj korçarëve. 27-vjeçari, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, foli për arsyet pse skuadra po kalon këtë moment jo të mirë në kampionat, por sqaroi edhe përjetimin e tërmetit shkatërrimtar që përfshiu Durrësin në orët e para të 26 nëntorit.

Albano, tani që flasim situata është më e qetë, por si e përjetuat tërmetin e 26 nëntorit?

Fatmirësisht, unë dhe familja ime jemi mirë, por psikologjia e njerëzve në të gjithë vendin është shumë e rënduar. Kjo, për arsye se tërmeti ishte shumë i fortë. Isha në Durrës në momentin kur ra tërmeti, por dola menjëherë, sepse situata ishte e rëndë dhe shikoja vetëm njerëz në nevojë për ndihmë. Dua të falënderoj edhe grupet e shpëtimit që erdhën në Shqipëri.

Kampionati është ndalur dhe logjikisht ekipi ka disa ditë që nuk stërvitet. Mendoni se ka qenë në dëmin tuaj kjo situatë në aspektin sportiv?

Jo. Futbolli në këto momente duhet të kalonte në plan të dytë, pasi situata në vend ishte me të vërtetë shumë e rëndë. Tani që është qetësuar disi situata, edhe ne do të nisim përgatitjet për ndeshjen e radhës dhe besoj e mendoj se të gjithë do të kthehemi edhe më të fortë për ta kaluar së bashku këtë situatë të rëndë që ka pllakosur Durrësin.

Përballja e radhës është me Skënderbeun. Shpresoni që Teuta do të jetë gati deri të dielën e 8 dhjetorit?

Besoj se po. Ne do të zbresim në fushë për të nisur ciklin javor të stërvitjes dhe mendoj se deri të dielën e ardhshme do të jemi gati. Skënderbeu është në formë të mirë dhe deri më tani ka treguar se, pavarësisht problemeve që ka, është një ekip i fortë. Ndaj, nga ana jonë do të ketë vlerësim maksimal, pasi duhet të kthehemi te fitorja.

Në 5 javët e fundit keni marrë katër pikë. Si shpjegohet kjo ecuri?

E nisëm sezonin shumë mirë, duke marrë rezultate pozitive. Mendoj se jo vetëm Teuta, por çdo skuadër ka momentet e saj jo të mira ose më saktë kalon një ngërç psikologjik. Kam shumë besim tek i gjithë ekipi që në ndeshjen e radhës do të bëjmë autokritikë dhe do ta kalojmë këtë moment “jo” që kemi aktualisht.

Si ju duket ky kampionat?

Është një kampionat i fortë, ku të gjitha ekipet janë të vështira për t’u kaluar. Kërkohet impenjim maksimal në çdo ndeshje. Duhet të bëjmë kujdes, pasi çdo takim mund të sjellë të papritura për ne.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"