Aldo Teqja: Shpresoj që Flamurtari ta nisë me fitore domethënëse, rivalë kemi… veten

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2023 | 18:37

Aldo Teqja: Shpresoj që Flamurtari ta nisë me fitore domethënëse, rivalë kemi… veten

Aldo Teqja ka ardhur me mision të qartë. E di që në Vlorë duan ngjitjen dhe pikërisht atë premton. Skuadrën e sheh më shumë se gati për ta nisur garën. Ndonëse e pranon që do të jetë një kampionat i vështirë dhe se të gjitha janë investuar për të arritur elitën, portieri nuk mendon se kanë rivalë.

teqja

Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, 28-vjeçari flet edhe për qytetin. Është përshtatur direkt, përtej rrëmujës dhe zhurmës që ka shkaktuar sezoni veror.

Aldo, si po ecën faza përgatitore për Flamurtarin?
Faza po ecën shumë mirë. Të gjithë kanë angazhimin maksimal për të punuar fort dhe me seriozitetin e duhur.

Kategoria e Parë është vetëm 10 ditë larg startit. A jeni gati për ta nisur këtë sezon?
Unë besoj se do të jemi gati për startin e kampionatit. Shpresojmë ta nisim mbarë, me fitore domethënë. Kjo është “mirë” për ne, asgjë tjetër.

Keni zhvilluar disa miqësore gjatë kësaj periudhe, çfarë note do t’i vinit skuadrës?
Në kompleks kemi bërë paraqitje vërtet të mira në të gjitha miqësoret që kemi luajtur. Përjashto asaj me Korçën, nga ku dolëm me një rezultat negativ. Por ajo që më ngroh mua është diçka tjetër, loja që kemi prodhuar kundër Skënderbeut. Në fakt, në të gjitha sfidat kemi luajtur mirë dhe mbi të gjitha kemi folur me rezultat. Kemi qenë në nivelin e duhur.

Vjet Flamurtari nuk u ngjit dot, besoni se ky do të jetë viti juaj?
Kemi një grup shumë të mirë futbollistësh, të cilët kanë përvojën dhe eksperiencën e duhur për të bërë më të mirën për skuadrën.

E shikoni të vështirë këtë sezon?
Duke parë ekipet e tjera që janë forcuar shumë, besoj se do të jetë e vështirë. Por gjithsesi unë mendoj se do t’ia dalim.

Cilët janë rivalët tuaj?
Rivalë? Rivalë ne nuk kemi asnjë tjetër përveç vetes sonë. E dimë forcën tonë. Jemi ekip i ndërthurur mirë, me eksperiencë dhe me djem të rinj, që kanë dëshirë të bëjnë mirë.

Zhurma dhe rrëmuja gjatë këtij sezoni turistik veror, po ju pengon për t’u përshtatur me skuadrën dhe qytetin?
Në Vlorë jam përshtatur më së miri, pavarësisht se është qytet pak i zhurmshëm dhe ka pak rrëmujë nga turistët. Besoj se kjo është e përkohshme dhe nuk do të zgjasë më shumë se dy javë të tjera. Me të mbaruar sezoni turistik, do të jetë më qetë.

Me kë shoqëroheni më shumë nga shokët e ekipit?
Pothuajse me të gjithë. Nuk kam probleme me këtë pjesë, pasi atmosfera dhe fryma pozitive nuk na mungojnë. E megjithatë, diçka më tepër rri me grupin e lojtarëve që kanë ardhur vetëm këtë merkato në ekip

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"