Akuza e Abazajt: Duar të papastra po prishin garën. Gjithçka ka qenë e orkestruar…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2020 | 12:28

Akuza e Abazajt: Duar të papastra po prishin garën. Gjithçka ka qenë e orkestruar…

Barazimi në fushën e Shënkollit është shoqëruar me ankesa të mëdha nga drejtuesit e Pogradecit në lidhje me gjykimin e kryesorit elbasanas, Erion Bylykbashi, që, sipas tyre, i ka kaluar kufijtë sportivë. Trajneri Ardian Abazaj ka një apel për të gjithë, teksa për “Panorama Sport” deklaron:

Abazaj222

“I ftoj të gjithë për një garë të ndershme, të luajmë me ‘duar të pastra’. Nuk mund të luhet në këto kushte, kur gjyqtarët bëhen faktor përcaktues në rezultat, siç u bënë për ne në Shënkoll. Tendenca ishte shumë e qartë, kam raste pa fund dhe kjo më detyron të jap këtë deklaratë. Në shumë raste ndërhyrjet e kundërshtarit ishin shumë të ashpra, duhet të ndëshkoheshin me karton të kuq. Në shumë aksione tonat gjyqtari ndërpriste lojën. Nuk kalonim  dot mesfushën, pasi flamuri i asistentëve ishte lart. Kundërshtari vetëm një herë erdhi në portën tonë dhe kjo, për meritë të gjyqtarit. E kishim shumë të vështirë të arrinim te zona dhe jo te porta. Gjithsesi, krijuam pak raste që i shpërdoruam”.

Pogradeci

FUSHA – Përveç gjykimit, trajneri i Pogradecit ka ankesa edhe për fushën e Shënkollit. “Nuk mund ta kuptoj si licencohen fusha që janë jashtë çdo standardi. Ajo fushë nuk ka përmasa më të mëdha se 80 me 40 metra. Në këto kushte, çdo kundërshtar mbyllet shumë shpejt dhe ne nuk orientoheshim. Them se ka qenë gjithçka e orkestruar diku tjetër që ne të mos dilnim me tri pikë nga kjo ndeshje. Uroj ta kem gabim, por nga sa po shohim tani, gara ka edhe duar të tjera. Duhet të jetë garë e pastër, por ja që janë këto duar shumë të papastra”, shton Abazaj. Liqenorët kanë lënë vendin e parë pas barazimit në Shënkoll, por trajneri Abazaj beson se ekipi i tij do të sfidojë edhe garën e pandershme. “Nuk na ndalin aspak, edhe pse veprohet kështu. I respektojmë të gjitha ekipet, në stadiumin tonë askush nuk ka presion, të gjithë marrin atë që meritojnë, askush nuk është ankuar për padrejtësi, këtë kërkoj edhe nga ekipet e tjera. Nëse ndonjë ekip nuk do të luajë në Pogradec, le ta zhvillojmë takimin në një fushë asnjanëse. Kalimin në Superiore le ta meritojë ai ekip që luan më mirë, që djersin në fushë”, përfundon Abazaj.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"