Akord me mbrojtësin serb Dukiç, Korabi pret edhe Valdano Nimanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2016 | 11:25

Akord me mbrojtësin serb Dukiç, Korabi pret edhe Valdano Nimanin

Korabi është shumë pranë transferimit të Dushko Dukiç. Mbrojtësi serb, i lindur në Zadar të Kroacisë, i cili sezonin e fundit e mbylli te Bylisi, pritet që të jetë goditja e radhës për dibranët. Lojtari i linjës së majtë ka arritur akordin paraprak me drejtuesit për sezonin e ri.

korabi mergjyshi

Ky lajm konfirmohet për gazetën edhe nga ana e klubit, por tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i lojtarit 30-vjeçar që gjatë karrierës së tij ka luajtur për ekipe si: Jedinstvo Paracin, Vlasina, Vitebsk, Jagodina, Hajduk Kula, Politeknica Timishoara, Vozdovac, Spartak Subotica dhe Alashkert. Gjatë kësaj jave, duke filluar nga sot, pritet që të lidhen edhe kontratat e reja me disa nga futbollistët që bënë të mundur ngjitjen e ekipit në elitë, por edhe ata që mund të kalojë provën.

Jagodina Vs. Crvena Zvezda, Jelen super liga

Ndërkohë, bëhet me dije se ende nuk është arritur ndonjë akord me sulmuesin e kampionëve, Sebino Plaku. Duket se ky transferim është mjaft i vështirë, ndaj njëkohësisht drejtuesit po piketojnë edhe sulmues të tjerë që mund të bien dakord. Dhe “grepat” po hidhen te disa skuadra të Superiores, madje edhe te Partizani. Pranë Korabit është edhe një tjetër ishlojtar i Laçit. Bëhet fjalë për Valdano Nimanin, me të cilin klubi ka nisur bisedimet. Pritet që vetëm në vazhdim të ketë diçka konkrete edhe për mesfushorin shkodran, i cili pak ditë më parë zyrtarizoi “divorcin” me kurbinasit.

korabi stervitje

Vendimet

Nesër pritet një tjetër vendim i Bashkisë së Dibrës për të kaluar një fond emergjencë prej rreth 70 milionë lekësh të vjetër për fazën përgatitore, por më kryesorja është kthimi i klubit në sh.a. “Ndihma dhe përkrahja jonë nuk do t’i mungojë këtij klubi, duke qenë dhe promotorët kryesorë të ndihmës financiare për skuadrën tonë, e cila do të bëhet realitet nga dy biznesmenët shqiptarë që jetojnë në Amerikë.

Naim Agolli dhe Selim Rusi janë të gatshëm të marrin përsipër drejtimin e klubit dhe në rastin më të parë do të bëjmë të ditur dhe listën e sponsorizimeve. Ndërsa në emër të Klubit të Futbollit Korabi ne u shprehim mirënjohje të gjithë atyre që na ndihmojnë për të pasur një skuadër dinjitoze dhe rivale për shumë skuadra të Superiores”, citohet në një njoftim të klubit.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"