Afrimi i vetëm zyrtar për Apoloninë, flet Guri: Ju tregoj pse e zgjodha këtë ekip për të vazhduar karrierën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2020 | 17:16

Afrimi i vetëm zyrtar për Apoloninë, flet Guri: Ju tregoj pse e zgjodha këtë ekip për të vazhduar karrierën

Që prej së martës, fierakët kanë filluar me dy seanca stërvitore në ditë, sepse stafi teknik synon që grupi të arrijë sa më shpejt formën optimale. Pritet edhe rikuperimi i të dëmtuarve, sidomos i Smaçit, i cili ka probleme më të lehta. Skuadra e Mërgjyshit e ka treguar se është nga më të mirat në aspektin fizik, por ka nevojë ende për “t’u rritur” në kontekstin e menaxhimit të 90 minutave, pasi i mungon përvoja e duhur. Stafi teknik po punon fort me grupin aktual, duke mbajtur “një vesh e një sy” nga merkatoja për të pritur përforcime.Apolonia2

GURI – Deri tani, i vetmi që ka nënshkruar me fierakët është kuksiani Ardi Guri. Pjesën e parë të kampionatit 20-vjeçari luajti për Ilirinë, ku regjistron 480 minuta në 8 ndeshje, 6 prej të cilave titullar. Kontrata e mbrojtësit të majtë tek Apolonia është deri në maj, me opsionin e rinovimit 1-vjeçar, nëse kjo skuadër ngjitet në Superiore.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Guri ka dhënë edhe deklarimin e parë si bardhejeshil për “Panorama Sport”. “Jam i kënaqur që arrita këtë marrëveshje. Apolonia për mua është një ekip cilësor dhe me emër edhe në futbollin elitar shqiptar. Ndihem i emocionuar dhe dua të falënderoj drejtuesit e klubit dhe profesor Mërgjyshin për besimin që kanë ndaj meje. Zgjodha Apoloninë, sepse është një ekip serioz në pretendime dhe që u jep shumë besim të rinjve.

Do të përpiqem në çdo ndeshje të jap maksimumin, duke besuar se në fund të kampionatit do të arrijmë Superioren. Iliria? Është skuadër që e respektoj, do ta dua gjithmonë dhe e falënderoj për atë pjesë që kam kaluar atje, pasi ajo përvojë më ka shërbyer. Tani mendoj për skuadrën time të re, Apoloninë, i uroj edhe Ilirisë shumë suksese”, thotë lojtari më i ri i Apolonisë, Ardi Guri.

 BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"