“Afrimet e reja ta tregojnë veten në fushë”, Egbo: Mendoj Europën, Superiorja krenare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2020 | 17:48

“Afrimet e reja ta tregojnë veten në fushë”, Egbo: Mendoj Europën, Superiorja krenare

Për Egbonë është e rëndësishme që skuadra të jetë e plotë dhe e gatshme për të nisur kampionatin dhe për të tentuar kualifikimin në fazën e grupeve. Në një prononcim për mediat, tekniku bardheblu u shpreh optimist për të ardhmen, teksa deklaroi: 

Egbo Tirana

Zoti Egbo, keni afruar disa lojtarë. Keni krijuar një mendim për këta lojtarë?

Nuk është se kemi krijuar një mendim për ta. E rëndësishme është që ekipi po mbushet me lojtarë. Do të shohim në ditët në vazhdim të afruarit. Në këtë moment po kontrollojmë gjendjen fizike të tyre dhe më pas do të veprojmë. Në ndeshje do t’i ndjekim me kujdes. I kemi ndjekur edhe videot e tyre. Janë lojtarë të mirë apo ashtu duken, por është fusha ajo që flet me vepra. Në fund është e rëndësishme që jemi të plotë.

Kemi të gjithë lojtarët e Kombëtares dhe ky është plus për ne.

Shtyrja e kampionatit është mirë për Tiranën që të ketë sa më shumë ditë në dispozicion?

E thashë dje apo pardje. Është mirë dhe jo mirë për ne. Është jo mirë për ne, sepse po ta nisnim kampionatin, do të ishim në ritmin e ndeshjeve për Kupat e Europës. E keqja është se nuk do të kishim të gjithë lojtarët bashkë. Ata tani kanë ardhur dhe sa më shpejt të ambientohen me pjesën që është në skuadër, aq më mirë është për ne.

E prisni me ankth shortin?

Nuk e pres me ankth shortin. Nuk kam as preferenca. Preferenca ime është që të futemi në fushë dhe të marrim maksimumin, pra të kualifikohemi duke dhënë 100 për qind, paçka kundërshtarit.

Pesë djem të rinj u aktivizuan nga grup-moshat?

Janë lojtarë të spikatur në ndeshjet e akademisë. Është diçka e mirë për djemtë dhe skuadrën. Shpresoj që të bëjnë ashtu siç bënë Ismajlgeci, Çelhaka dhe të rinjtë e tjerë që po bëjnë gjëra të mira në kampionatin shqiptar dhe Kombëtare. Është shumë pozitive për ne, sepse një djalë i ri punon që të kapë një vend titullari në ekipin e parë.

Pa Muçin dhe Kobinanë në kampionat?

Kjo është një pyetje që duhet t’ia bëni klubit. Unë bëj punë brenda fushës. Përgjigjen për këtë gjë e japin ata që bëjnë marketingun e skuadrës. Ne luajmë akoma në Europë dhe pa u luajtur ajo ndeshje nuk mund të shiten lojtarë. Ndeshja është shumë e rëndësishme dhe nuk i dihet. Ndoshta shkojmë në grupe. Pas Europës do të flasim, cili do të jetë në skuadër dhe cili jo.

Merkatoja është e mbyllur?

U kthehem fjalëve të mia dy ditë më parë. Nëse kualifikohemi në grupe, na duhen lojtarë cilësorë. Duhet të përballojmë si Europën dhe kampionatin. Në këtë prizëm merkatoja nuk është mbyllur. Do të shohim lojtarët që kemi nëse na duhen apo jo.

Tre djemtë e Shpresave bënë shumë mirë në ndeshjet ndërkombëtare…

Unë u thashë edhe djemve. Është kënaqësi. Atje nuk kanë shkuar për të qenë në stol, por për të ndihmuar ekipin kombëtar. Aktivizimi i tyre është tregues për punën që është bërë nga akademia dhe skuadra e parë. Kampionati shqiptar duhet të jetë krenar që po prodhon lojtarë. Këtu fus edhe Selmanin e Laçit që në ndeshjen e parë me Shpresat shënoi dy gola. Është diçka shumë interesante dhe pozitive ajo që po ndodh në kampionatin shqiptar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"