Administratori Idrizi: Ne vetëm qaravitemi, duhen arbitra të huaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2018 | 17:43

Administratori Idrizi: Ne vetëm qaravitemi, duhen arbitra të huaj

Një nga klubet që është dëmtuar nga vendimet e arbitrave javët e fundit është Flamurtari. Madje, trajneri Duro nuk ka hezituar që të denoncojë publikisht rastet kur skuadra e tij është penalizuar. Në një prononcim për “Panorama Sport” në lidhje me këtë çështje, administratori i vlonjatëve, Sinan Idrizi, është shprehur se janë disa skuadra të dëmtuara. “Nuk është vetëm Flamurtari që është masakruar nga gjykimi.

Sinan-Idrizi-470x264

Çdo javë ka masakër. Më tregoni një javë që nuk ka probleme? Flamurtari ka tone të ashpra me FSHF-në. Nuk ka kampionat në botë si te ne. Shikoni listat e padëshirueshme që kanë klubet për gjyqtarët. Të gjitha klubet kanë një ose dy gjyqtarë që i kanë shpallur të padëshiruar. Përjashtim bën vetëm Skënderbeu, i cili nuk ka asnjë të padëshiruar. Si e shpjegoni që arbitrat nuk janë të besuar në ndershmërinë dhe korrektësinë e tyre?

Grupi që dënoi Duron për një deklaratë, pra, shoqata e arbitrave, a ka përgjegjësi apo jo për atë që na ofrojnë ne. Ka dhe një problem të thjeshtë. Nuk është se nuk kemi arbitra të mirë, por shumica bastardizon gjithçka. Ne e kemi zakon të qaravitemi, por në Shqipëri ka kaluar çdo limit”, tha Idrizi.

ZGJIDHJA

Për drejtuesin e Flamurtari ka edhe një zgjidhje për këtë çështje. “Hajde të nxjerrim një fond të gjithë bashkë, të marrim arbitra të huaj dhe të mbyllet kjo histori. Shikoni çdo javë deklaratat e klubeve.

idrizi-470x303

Flamurtari ka dy gjyqtarë të padëshiruar, Luftëtari një, po ashtu edhe Kukësi me Vllazninë. Kjo është vjedhje në detyrë nga paaftësia apo qëndrimi keq. Këta zotërinj që bëjnë gangsterin që nuk dihet ku marrin të ardhurat e tyre, institucionet kanë shansin që t’i dënojnë, qoftë edhe me pamje filmike, siç dënohet në botë një punëtor i paaftë.

Ku është ai arbitër që ishte në ndeshjen me Laçin? Do dali sërish? Duhet të ndëshkohet dhe kush është i vetëdijshëm të tërhiqet”, ka mbyllur Idrizi.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"