Abazaj “blindon” Pogradecin: Nuk do të largohet asnjë lojtar nga ekipi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2020 | 16:21

Abazaj “blindon” Pogradecin: Nuk do të largohet asnjë lojtar nga ekipi

Pogradecarët kanë tashmë autoritetin e ekipit kryesues të Grupit B, ku në 12 javë grumbulluan 26 pikë, duke sfiduar Lushnjën, Apoloninë dhe Besën. Ekipi i trajnerit Abazaj ka koleksionuar 8 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje, ka shënuar 18 gola dhe ka pësuar 11.Abazaj222

Ndoshta sezoni nuk u nis me objektivin e Superiores, por gjatë rrugës Pogradeci ka treguar se është skuadra më e mirë. Prej disa ditësh liqenorët i kanë mbyllur pushimet e tyre dhe po stërviten në Pogradec, pasi faza përgatitore do të zhvillohet në këtë qytet dhe do të krijohet mundësia edhe për ndonjë ndeshje miqësore me ekipet e qyteteve pranë.

ABAZAJ BLINDON EKIPIN – Paraqitja e mirë e Pogradecit nuk ka kaluar pa u vënë re edhe nga ekipet e Superiores, që kanë vënë në shënjestër disa nga elementët më të spikatur, por trajneri Ardjan Abazaj i ka paraprirë situatës.

Ai së pari është përpjekur që të ruajë grupin, të mos ketë asnjë largim nga ata që e mbyllën vitin 2019 me fanellën e Pogradecit. “Më 4 janar kemi nisur stërvitjen dhe do të fokusohemi shumë në këtë periudhë tek aspekti fizik, – thotë trajneri Abazaj, – sepse ekipi ka shfaqur edhe dobësi në këtë drejtim. Ishte normale, pasi nuk zhvilluam dot një fazë të plotë përgatitore. E kam thënë gjithmonë se ky grup është në shijet e mia dhe nuk do të ketë asnjë të larguar nga Pogradeci.

Edhe vetë grupi i është përgjigjur pozitivisht vazhdimësisë me këtë fanellë, kështu që jemi të qetë në këtë drejtim, pasi po punojmë që në ditët e para me grupin e plotë. Për disa futbollistë të Pogradecit ka pasur interesim nga ekipe të tjera, edhe nga Superiorja, por ata kanë shfaqur dëshirën të qëndrojnë dhe ky fakt më bën entuziast”.pogradeci

MERKATO – Më pas trajneri pogradecar prek edhe çështjen e përforcimeve të mundshme, që do t’i jepnin Pogradecit më shumë garanci në arritjen e Superiores. Abazaj shpreson shumë që të ketë lëvizje në hyrje për skuadrën të cilën drejton. “Për punën e merkatos jam në pritje të një takimi me kryebashkiakun, i cili është njëkohësisht edhe presidenti i ekipit. Do t’i bëj të ditura kërkesat e mia dhe shpresoj se do të bëhet e mundur që ne të afrojmë dy ose tre futbollistë.

Është e kuptueshme që ka kosto financiare, ndaj dhe vetëm pas kësaj bisede mund të flasim me detaje. Kur flasim për afrime, jo se kemi mungesa në reparte të caktuara, por duhet të kemi më shumë forca për vazhdimësinë e kampionatit”, ka përfunduar trajneri Abazaj, i cili ka shumë besim se të tijtë do të arrijnë ta ruajë vendin e parë deri në fund të kampionatit, duke siguruar kështu ngjitjen në Superiore. Pasi ka bllokuar merkaton në dalje, ai shpreson tashmë të plotësojë edhe kërkesën tjetër, atë të afrimit të dy-tre lojtarëve të tjerë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"